Dyshohet si pjesë e grupit kriminal që hakeroi SPAK, ish-drejtori i Burgjeve paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Ish-drejtori iBurgjeve, Agim Ismaili është paraqitur këtë të martë në SPAK, më shumë se një muaj pasi u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm si person i dyshuar për pjesëmarrjen në grupin kriminal që realizoi hakerimin e sistemit të këtij institucioni pak muaj më parë.

23.12.2025. 14:54 >> 15:31

Dyshohet si pjesë e grupit kriminal që hakeroi SPAK, ish-drejtori i Burgjeve paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Ish-kreu i Drejtorisë së Burgjeve, Agim Ismaili, i cili pesë javë më parë u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se kreu sulmin kibernetik ndaj kësaj strukture, është paraqitur sot sërish para prokurorëve të posaçëm.

Isamili, i cili u pyet më 13 nëntor për 90 minuta në SPAK është marrë nën hetim pas dyshimeve për tentativën e hakerimit të sistemit të Prokurorisë së Posaçme.

SPAK ka sqaruar më herët se procedurat po ndiqen në mënyrë intensive, për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësitë e tij.

“Sot, më 13.11.2025, shtetasi Agim Ismaili është marrë në pyetje në praninë e një avokati pasi ndaj tij po zhvillohen hetime për veprat penale: Neni 293/a (paragrafi i dytë) – Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike; Neni 333/a - Grupi i strukturuar kriminal; Neni 334 -  Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, njofton SPAK.

SPAK ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme në adresat e email-eve të prokurorëve të posaçëm më 12 mars 2025. Asokohe, Prokuroria e Posaçme sqaroi se falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të strukturës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)