Një episod i dhunshëm i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, mes 27 dhe 28 dhjetorit, ka tronditur qytetin e Coneglianos në Itali. Një ushtar amerikan 28-vjeçar, i stacionuar në bazën ushtarake të SHBA-së në Vicenza, është plagosur me thikë gjatë një sherri jashtë një lokali nate.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, jashtë lokalit “Club Vibes”, ku ushtari ndodhej në shoqërinë e një gruaje 37-vjeçare. Sipas autoriteteve, çifti është përfshirë në një debat me një grup të rinjsh nga shqipëria, të njohur të gruas. Konflikti verbal ka përshkallëzuar në dhunë fizike dhe gjatë përplasjes ushtari është goditur me thikë në zonën e barkut.
Britmat e gruas kanë alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Coneglianos nga Suem 118. Fatmirësisht, plagosja e ushtarit ka rezultuar sipërfaqësore dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gruaja që e ka shoqëruar ka pësuar vetëm lëndime të lehta.
Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, karabinierët e Coneglianos kanë identifikuar autorin e dyshuar të sulmit, i cili rezulton të jetë një shtetas shqiptar, bashkëkombas i 37-vjeçares. Sipas hetimeve paraprake, motivi dyshohet të ketë qenë xhelozia, pa pasur lidhje sentimentale apo familjare mes tij dhe gruas.
Prokuroria e Trevisos ka hapur një procedim penal për plagosje. I dyshuari u largua nga vendngjarja para mbërritjes së ndihmës dhe pritet të merret së shpejti në pyetje nga autoritetet.
Ndërkohë, autoritetet amerikane të bazës së Vicenzës janë vënë në dijeni të ngjarjes dhe po bashkëpunojnë me palën italiane, duke ofruar mbështetje mjekësore dhe psikologjike për ushtarin e plagosur.
Nga ana e tyre, drejtuesit e “Club Vibes” kanë sqaruar se incidenti ka ndodhur në rrugë publike, jashtë ambienteve të lokalit, dhe se personat e përfshirë nuk kishin asnjë lidhje me aktivitetin e klubit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)