Një bjelloruse dhe 6 kinezë arrestohen në Rinas

Shtatë shtetas të huaj, mes të cilëve 6 kinezë dhe një 45-vjeçare bjelloruse, janë arrestuar nga policia në Rinas.

06.01.2026. 15:09

Një bjelloruse dhe 6 kinezë arrestohen në Rinas

Kontrollet e shtuara nga Policia Kufitare në aeroportin e Rinasit kanë çuar në ndalimin e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.

Si rezultat i verifikimeve, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas kinezë, të dyshuar për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. “Të arrestuarit M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe, akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim’”, informon policia.

Gjatë kontrollit, këta shtetas paraqitën pasaporta të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara. Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, ndërsa u sekuestruan 6 pasaporta.

Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja bjelloruse A. W. (45 vjeçe), e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, asaj iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.

Në vijim, 45-vjeçarja u arrestua dhe ndaj saj rëndojnë akuzat për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)