Gjykata e Lartë ka vendosur ndryshimin e relatorit në çështjen që përfshin ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Relatori i mëparshëm, gjyqtari Sokol Binaj, është tërhequr nga shqyrtimi i dosjes pas dorëheqjes së tij nga çështja në dhjetor të vitit të kaluar.
Arsyeja e tërheqjes lidhet me faktin se Binaj ka qenë më herët pjesë e shqyrtimit të kërkesave gjyqësore të Tahirit, gjatë kohës kur ushtronte funksionin në ish-Apelin e Krimeve të Rënda. Pas këtij zhvillimi, relator i ri i dosjes është caktuar gjyqtari Genti Shala, i sapoemëruar në Gjykatën e Lartë.
Aktualisht pritet caktimi i datës së seancës dhe plotësimi i trupës gjykuese me dy anëtarë të tjerë, të cilët do të shqyrtojnë rekursin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, si edhe atë të vetë Tahirit, i cili kërkon pafajësi.
Prokuroria ka kundërshtuar vendimin për dënimin e ish-ministrit vetëm për shpërdorim detyre, duke kërkuar që ai të shpallet fajtor edhe për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal, me një dënim prej 12 vitesh burg.
Në vendimet e mëparshme, Tahiri u dënua fillimisht me 5 vite burg, dënim që u reduktua në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Fillimisht dënimi u pezullua, por më pas Apeli i GJKKO-së e rrëzoi këtë vendim dhe la në fuqi dënimin me burg. Pas një periudhe vuajtjeje dënimi, ai u lirua përpara përfundimit të plotë të tij, për shkak të rrethanave familjare.
Gjykata e Lartë pritet të vendosë mbi fatin përfundimtar të çështjes, pas shqyrtimit të rekursit nga të dyja palët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)