Tentoi të hidhte armën kur pa policinë, kapet 37 vjeçari, gjenden dhe shumë bizhuteri

Policia e Lezhës ka arrestuar një 37 vjeçar në Lezhë dhe procedoi penalisht vëllanë e tij të cilëve iu gjetën armë zjarri dhe një sasi bizhuterish që nuk e justifikonin.

09.01.2026. 13:12

Tentoi të hidhte armën kur pa policinë, kapet 37 vjeçari, gjenden dhe shumë bizhuteri

Policia e Lezhës dhe ajo e Kurbinit kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Risku”, i cili çoi në arrestimin në flagrancë të një 37-vjeçari dhe procedimin penal të vëllait të tij, pas sekuestrimit të armëve, municioneve dhe sendeve me vlerë të dyshuara si të paligjshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e shtetasit E. H., i njohur edhe si E. S., shërbimet e Policisë konstatuan disa bizhuteri floriri dhe katër orë dore luksoze, për të cilat ai nuk ishte në gjendje të paraqiste dokumentacion ligjor që të justifikonte burimin e tyre. Në vijim të veprimeve hetimore, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e tyre në fshatin Gjormë.

Gjatë këtij kontrolli, shtetasi L. H. tentoi të largohej duke hedhur nga muri i oborrit një çantë që përmbante një armë zjarri dhe municione, por u kap menjëherë nga forcat e rendit. Si rezultat, L. H., 37 vjeç, u arrestua në flagrancë, ndërsa vëllai i tij, E. H., 35 vjeç, po hetohet në gjendje të lirë.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur burimin e sendeve të sekuestruara, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)