Dy punonjëset e Postës në Devoll vjedhin 220 mln lekë të pensioneve dhe ndihmës ekonomike

Dy punonjëse të Postës në Devoll janë proceduar nga policia pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondi i dedikuar për pensionet dhe ndihmën ekonomike.

16.01.2026. 15:16

Dy punonjëset e Postës në Devoll vjedhin 220 mln lekë të pensioneve dhe ndihmës ekonomike

Policia ka nisur hetimet ndaj dy punonjëseve të zyrës postare në Vishocicë të Devollit, të dyshuara për vjedhje të një shume të konsiderueshme parash duke shpërdoruar detyrën.

Përgjegjësja e zyrës postare, 29 vjeçe, dhe arkëtarja, 27 vjeçe, akuzohen për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, dy punonjëset dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondi i postës. Përgjegjësja e zyrës postare dyshohet se ka përvetësuar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë vendit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre.

Ndërkohë, arkëtarja dyshohet se ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat, duke i hequr ato nga evidencat e librave të arkës dhe nga sistemi i menaxhimit të parave cash, me qëllim favorizimin e vjedhjes së fondeve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprat penale ‘Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat që ushtronin”, bëhet me dije në njoftimin e policies.

Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)