Pas 2 vitesh del nga burgu Xhelal Rraja, i ndryshon masa e sigurisë

Pas gati dy vitesh në qeli, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lehtësojë masën e sigurisë ndaj Xhelal Rrajës, duke i hapur rrugë lirimit të tij nga burgu dhe kalimit në arrest shtëpie.

04.02.2026. 16:53

Pas 2 vitesh del nga burgu Xhelal Rraja, i ndryshon masa e sigurisë

Pas gati dy vitesh në qeli, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lehtësojë masën e sigurisë ndaj Xhelal Rrajës, duke i hapur rrugë lirimit të tij nga burgu dhe kalimit në arrest shtëpie. Vendimi u mor këtë të martë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila pranoi kërkesën e paraqitur nga i pandehuri për zëvendësimin e masës së sigurimit.

Me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, vendosi zëvendësimin e masës “arrest në burg”, të caktuar më herët me vendimet e datave 15.05.2024 dhe 12.07.2024, me masën “arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Xhelal Rraja nuk lejohet të largohet nga banesa e tij dhe nuk mund të komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Zbatimi dhe mbikëqyrja e masës do të kryhet nga komisariati i policisë që mbulon zonën e vendbanimit të tij.

Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Rrajës nga ambientet e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)