Pas tre ditësh protesta në zonën e Rrjollit të Velipojës, banorët kanë zhvendosur aksionin e tyre në Tiranë, para godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku kërkojnë fillimin e hetimeve për tjetërsimin e pronësisë së rreth 146 hektarëve tokë, në të cilën parashikohet ndërtimi i një kompleksi turistik.
Banorët akuzojnë se toka është përvetësuar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve, ndërsa rikthimi i tyre në SPAK vjen 11 muaj pas depozitimit të kallëzimit penal.
Megjithatë, që prej marsit 2025, SPAK ka shpallur moskompetencë për çështjen dhe ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Shkodrës, vendim që është kundërshtuar nga protestuesit.
Tensionet në Rrjoll shpërthyen këtë të hënë, pas përpjekjeve të banorëve për të ndaluar punimet në terren. Gjatë përplasjeve me policinë, rreth 30 persona u shoqëruan, por më pas u liruan pa masa sigurie.
Protestuesit shprehen se nuk do të ndalen derisa çështja të hetohet nga SPAK, duke theksuar se bëhet fjalë për një grabitje masive prone me pasoja të rënda për komunitetin lokal dhe zonën bregdetare të Velipojës.
Protestës para SPAK iu bashkua edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili kërkoi transparencë dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë.
Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)