Armë për krimin në kryeqytet, kapet kosovari me 12 pistoleta

Policia e Tiranës arrestoi një 27-vjeçar nga Kosova dhe sekuestroi 12 pistoleta me municion, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut.

08.02.2026. 13:45

Armë për krimin në kryeqytet, kapet kosovari me 12 pistoleta

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion kundër trafikimit të armëve të zjarrit, duke sekuestruar 12 pistoleta dhe sasi municioni luftarak që dyshohet se do të përfundonin në tregun e paligjshëm në kryeqytet.

Operacioni, i koduar “Barriera”, u zhvillua pas disa javësh hetimesh intensive dhe çoi në arrestimin e një shtetasi 27-vjeçar, banues në Kosovë, i cili dyshohet se transportonte armët me qëllim shitjen e tyre. Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu u kap në flagrancë gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në dalje të Unazës së Madhe, pranë zonës së Tufinës.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Volkswagen”, efektivët zbuluan 10 pistoleta të markës Glock të fshehura nën kofanon e mjetit, së bashku me municion luftarak. Në vijim të veprimeve hetimore, u sekuestruan edhe dy pistoleta të tjera të së njëjtës markë, duke e çuar në 12 numrin total të armëve të kapura.

Sipas hetimeve paraprake, armët ishin destinuar për t’u shitur në zonën e Freskut në Tiranë.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)