Nga shqiptari me tre emra tek amerikani, ekstradohen nga Danimarka, Franca e Italia të shumëkërkuarit e drejtësisë

Mëngjesin e kësaj të hëne janë ekstraduar nga Danimarka, Franca dhe Italia, 3 shtetas, të dënuar dhe të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

16.02.2026. 11:30

Nga shqiptari me tre emra tek amerikani, ekstradohen nga Danimarka, Franca e Italia të shumëkërkuarit e drejtësisë

Tre të shumëkërkuar të drejtësisë shqiptare janë ekstraduar këtë të hënë në Tiranë, në kuadër të operacionit “The Wanted”. Policia bën me dije se nga Danimarka u ekstradua Daniele Matoshi (alias Daniele Çela / alias Oklid Cela).

U ekstradua nga Danimarka, shtetasi D. M. alias D. Ç. alias O. C., 28 vjeç, i lindur në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Shtetasi D. M. ka qenë i dënuar nga Gjykata e Kristiansand, Norvergji, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Mbi bazën e materialeve të dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri (prona) të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve së tij”, sqaron policia.

Ndërkohë, nga Franca është ekstraduar një 25-vjeçar amerikan, të cilit në muajin qershor të vitit 2024, gjatë kontrollit me skaner në aeroportin e Rinasit, i janë gjetur në valixhe dy thika metalike.

“U ekstradua nga Franca, shtetasi Ch. R., 25 vjeç, i lindur në SHBA. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’”, informon policia.

Sakaq nga Italia u ekstradua Gazmir Mjelli (alias Gazmir Hamzaj) nga Berati, i cili ka mashtruar një person, duke i marrë para me premtimin se do ta fuste në Itali në mënyrë të paligjshme.

“U ekstradua nga Italia, shtetasi G. M. alias G. H., 39 vjeç, i lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Ky shtetas akuzohet se i ka marrë një shumë parash, shtetasit Gj. K., duke e mashtruar se do ta ndihmonte për të shkuar në Itali, në mënyrë të paligjshme”, bën me dije policia.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)