Vrasja e Ardit Spahiu, gjykata belge jep dy dënime përjetë, 25 vjet për Franc Çopjan

Gjykata belge ka dhënë dënime të rënda për të gjithë shqiptarët e përfshirë në vrasjen e bashkëkombasit të tyre Ardit Spahiu.

17.02.2026. 11:57

Vrasja e Ardit Spahiu, gjykata belge jep dy dënime përjetë, 25 vjet për Franc Çopjan

Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel ka dënuar me 25 vjet burg Franc Gergelyn, i njohur si Franc Çopja, për përfshirjen në vrasjen e Ardit Spahiut.

Për këtë rast, Gjykata vendosi burgim të përjetshëm për Mikael Qosjen, i cilësuar po ashtu si një nga urdhëruesit e vrasjes edhe Flobenc Meçjan, i cili kreu ekzekutimin.

Ndërkohë, Elton Roci u dënua me 20 vjet burg, Elvis Murataj me 8 vjet, ndërsa Eljo Bitri mori 5 vjet heqje lirie, duke përfituar nga bashkëpunimi me autoritetet. Bitri kishte statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe u vlerësua për kontributin në zbardhjen e ngjarjes.

Vrasja ndodhi më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, ku Spahiu u qëllua 9 herë me armë zjarri teksa po largohej nga një restorant. Ai humbi jetën në vendngjarje. Viktima ishte një emigrant shqiptar që ishte larguar nga Shqipëria për arsye sigurie.

Sipas hetimeve, vrasja lidhet me një konflikt mes dy klaneve mafioze të përfshira në trafik ndërkombëtar të kokainës, njëri i lidhur me Çopjat dhe tjetri me familjen Alibej. Prokuroria theksoi se zbardhja e komunikimeve të koduara mes anëtarëve të grupit kriminal luajti rol kyç në identifikimin dhe ndjekjen penale të të përfshirëve.

Franc Çopja u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në dhjetor 2023. Ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se në Dubai merrej me tregti tekstilesh dhe automjetesh, por gjykata arriti në përfundimin se ai kishte rol drejtues në aktivitetin kriminal dhe në organizimin e vrasjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)