30 kg heroinë e kokainë, goditet klani i drogës në Itali, drejtohej nga dy shqiptarë

Policia italiane ka shkatërruar një rrjet trafikantësh droge e cila drejtohej nga dy shtetas shqiptarë.

Burimi: Ilpescara.it

23.02.2026. 22:25

30 kg heroinë e kokainë, goditet klani i drogës në Itali, drejtohej nga dy shqiptarë

Një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Rondò”, i zhvilluar në disa zona të Italisë qendrore dhe jugore. Si rezultat, për 20 persona janë dhënë masa sigurie, mes tyre 7 në arrest, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas mediave italiane, hetimet që zgjatën më shumë se një vit, zbuluan një rrjet të strukturuar të trafikimit të kokainës dhe heroinës. Baza operative e grupit ndodhej në Montesilvano, ndërsa droga hynte fillimisht nga Shqipëria drejt Barit dhe më pas shpërndahej në rajonin e Abrucos.

Kokaina furnizohej kryesisht nga Italia veriore, ndërsa heroina nga zona e Foggias, për t’u transportuar më pas drejt Abrucos përmes korrierëve.

Në krye të organizatës dyshohet se qëndronin dy shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në mënyrë të ndarë: njëri merrej me trafikun e kokainës dhe tjetri me heroinën.

Njëri prej tyre kishte hapur aktivitete tregtare në Montesilvano, që dyshohet se përdoreshin si mbulim për aktivitetin kriminal. Tjetri ishte përgjegjës për transportin dhe dorëzimin e sasive të drogës tek shpërndarësit në zonën e Pescaras.

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 30 kilogramë heroinë dhe kokainë, afro 100 mijë euro para cash dhe pajisje për përgatitjen e dozave. Komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes telefonëve të enkriptuar, por hetuesit arritën të depërtonin në rrjet dhe të dokumentonin aktivitetin e paligjshëm.

Autoritetet italiane e konsiderojnë operacionin një goditje të rëndësishme ndaj trafikut të drogës në rajon, ndërsa hetimet vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)