Një foshnjë rreth 2 muajshe është shtruar në gjendje shumë të rëndë në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës. Sipas burimeve nga spitali dhe policia, dyshohet se gjendja e saj mund të jetë shkaktuar nga kequshqyerja.
Foshnja ka lindur para kohe, në muajin e shtatë të shtatzënisë. Pas lindjes është trajtuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas është dërguar për kujdes më të specializuar në Tiranë. Burimet bëjnë me dije se foshnja është larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore, por pas kthimit në shtëpi gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm.
Dyshohet se një nga arsyet kryesore të përkeqësimit mund të jetë mungesa e ushqyerjes së rregullt me gji. Sipas të njëjtave burime, nëna e foshnjës mund të ketë probleme të shëndetit mendor, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë nëse ajo ka shfaqur probleme pas lindjes së fëmijës.
Ndërkohë, mësohet se pas qëndrimit për disa orë në pediatrinë e spitalit të qytetit juglindor, foshnja është dërguar me urgjencë drejt Tiranës.
Efektivë e policisë kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)