Zjarr në kurorën e Koshnicës, ndërhyrja e pamundur

Në rast se situata përkeqësohet, nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes nga ajri.

10.04.2026. 22:59

Zjarr në kurorën e Koshnicës, ndërhyrja e pamundur

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme është regjistruar mbrëmjen e së premtes në malin e Koshnicës, në Njësinë Administrative Skënderbegas, në Bashkinë e Gramshit.

Sipas të dhënave paraprake, flakët kanë përfshirë një zonë të thellë malore, ku ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve hyrëse. Kjo situatë ka kufizuar mundësinë e ndërhyrjes nga toka për shuarjen e zjarrit.

Deri tani, autoritetet bëjnë me dije se vatra ndodhet larg zonave të banuara dhe nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për banorët e zonës. Megjithatë, strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm për të shmangur përhapjen e flakëve në sipërfaqe më të mëdha.

Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga faktorë aksidentalë, ndërsa hetimet për përcaktimin e shkaqeve të sakta pritet të vijojnë.

Në rast se situata përkeqësohet, nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes nga ajri, si alternativë e vetme për të vënë nën kontroll flakët në një zonë të paarritshme nga mjetet tokësore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)