Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar "Storm 18", ku pas një muaji hetime ka vënë në pranga tre shtetase kolumbiane.
Ato kishin marrë me qira një ambient në Durrës ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm. Një prej tyre është identifikuar si organizatorja e kësaj veprimtarie.
NJOFTIMI I PLOTE
Kishte marrë me qira një ambient në lagjen nr. 1, Durrës, duke e përshtatur dhe shfrytëzuar për prostitucion, vihet në pranga organizatorja e kësaj veprimtarie dhe 2 shtetase kolumbiane.
Procedohen penalisht edhe 3 shtetas për prostitucion.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, së bashku me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 18”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë 1-mujore.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases kolumbiane M. L., 26 vjeçe.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për ushtrim prostitucioni shtetaset A. G., 33 vjeçe dhe B. A., 26 vjeçe, të dyja shtetase kolumbiane.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 pasaporta të shtetaseve të arrestuara, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 1 leje drejtimi dhe 3 celularë.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasja M. L., prej një muaji, kishte marrë një apartament me qira në lagjen nr. 1, Durrës, të cilin e kishte përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit nga dy shtetase të tjera kolumbiane.
Gjithashtu, kjo shtetase ka ushtruar edhe vetë aktivitetin e prostitucionit në këtë ambient.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)