“Ky proces ka lulëzuar në errësirë”, Veliaj me pranga në Administrative, shtyhet seanca për Ols Dadon

Eshtë shtyrë seanca në Gjykatën Administrative ku shqyrtohet kërkesa e Erion Veliaj ndaj Prokurorit të Posaçëm, Ols Dado dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kryebashkiaku i Tiranës hodhi akuza duke thënë se procesi ndaj tij është zhvilluar në errësisë. Seanca e radhës do zhvillohet më 19 qershor.

08.05.2026. 15:28

“Ky proces ka lulëzuar në errësirë”, Veliaj me pranga në Administrative, shtyhet seanca për Ols Dadon

Erion Veliaj u paraqit këtë të premte me pranga në duar në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia e tij ndaj Prokurorit të Posaçëm, Ols Dado dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kryebashkiaku kërkon shfuqizimin e emërimit të Dados si prokuror. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pas vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili lejoi vetëm praninë e gazetarëve në sallë, por jo kamerat. Trupa gjykuese argumentoi se kamerat do të lejohen vetëm në momentet e shpalljes së vendimeve të ndërmjetme ose përfundimtare.

Vendimi u mor edhe pse avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kërkoi që seanca të transmetohej live, duke theksuar se parimi kushtetues i publicitetit të gjykimit nuk duhet të cenohet. Sipas tij, nuk ekzistojnë kushte që të justifikojnë kufizimin e mediave në këtë proces.

Sakaq, gjatë fjalës së tij, Veliaj deklaroi se procesi ndaj tij “është ngritur në errësirë” dhe akuzoi institucionet për mungesë transparence.

“Me vendimin e ndërmjetëm prisja të kishte transparencë, ky proces ka lulëzuar në errësirë. KLP duhet të mbronte gazetarët, të mbronte veten e vet. KLP ka kthyer një përgjigjie se kush është caktuar para nesh, të gjithë duhet të kërkonim transparencë. Ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Ai tha se prej më shumë se 15 muajsh ndodhet në një situatë që “nuk e kishte imagjinuar kurrë”, ndërsa shtoi se ndaj tij është ushtruar kontroll i plotë mbi çdo aspekt të jetës personale dhe profesionale.

“Kam mbi 15 muaj që jam në një realitet që nuk e imagjinoja. Kjo është situatë që përshkruhet ndoshta nga një penë si e Dostojevskit. Pas zgjedhjes time për herë të tretë si kryetar i Bashkisë Tiranë, jam gjendur në sulme të vazhdueshme. Unë vijoj dhe mbahem në paraburgim me kokëfortësi, është kontrolluar cdo aspekt i jetës sime. Mua më është bërë vetting. Jashtë çdo standarti normal proporcionaliteti. Kam shkuar me këmbët e mia në birucë. Kërkova kamerat live në këtë seancë, për trasparencë. Për dy vite u përdor çdo mekanizëm, politik, mediatik dhe juridik, për të më mbajtur në birucë”, deklaroi Veliaj para gjykatës.

Ai në vijim shtoi se “e di gjithë Shqipëria që Ols Dado nuk është prokuror”.

“Ky proces është ngritur në errësirë. KLP për të mbrojtur emrin e vet, duhet të ishte pala më e interesuar. KLP ka kthyer një përgjigje duke thëne që ne nuk merremi me kë është caktuar para nesh. Presidenca ka pranuar një gabim të asaj kohe”, tha Veliaj.

Në seancë pati edhe debat procedural mes mbrojtjes dhe përfaqësueses së KLP-së. Avokati Ndreca pretendoi se përfaqësuesja e institucionit nuk kishte tagër për të bërë parashtrime, ndërsa kjo e fundit argumentoi se përfaqësimi ishte i rregullt dhe i bazuar në kompetencat e kryetarit të institucionit.

Gjykata vendosi të shtyjë shqyrtimin e çështjes për shkak të paraqitjes së prapësimeve të reja nga pala e paditur dhe kërkesës së mbrojtjes për kohë shtesë për njohjen me dokumentacionin, ndaj seanca e radhës do të mbahet më 19 qershor, në orën 14:00.

Procesi ka tërhequr vëmendjen edhe të figurave publike, pasi në sallën e gjyqit ishin të pranishëm aktori Robert Ndrenika, i cili përshëndeti Veliajn para nisjes së seancës, si edhe aktori i humorit Gaz Paja.

Kryebashkiaku i Tiranës dhe Ndrenika u takuan përzemërsisht, shkëmbyen puthje, e madje nuk munguan as batutat për ti dhënë zemër Veliajt në betejat e tij ligjore.

“Ç’të mbetet nga burgu, vij e bëj unë”, ishin fjalët e aktorit të madh, lidhur me qëndrimin ende në qeli të kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa saga gjyqësore vijon. Pas atyre fjalëve, Ndrenika e puthi Veliajn në ballë, si për ti dhënë uratën.

Në mbështetje të kryebashkiakut u panë gjithashtu këngëtari Ardit Çuni, moderatorja Xhilda Luzi, analisti Ilir Yzeiri dhe ish-deputeti Halit Valteri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)