Dy efektivë plagosen gjatë një operacioni antidrogë në Korçë, kapet shpërndarësi

Dy efektivët ndodheshin në terren në kuadër të një operacioni për goditjen e shpërndarjes së drogës.

27.05.2026. 07:38

Dy efektivë plagosen gjatë një operacioni antidrogë në Korçë, kapet shpërndarësi

Dy efektivë policie  janë plagosur mbrëmjen e së hënës në Korçë gjatë një operacioni antidrogë, ndërsa një person i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike është arrestuar.

Mësohet se në ngjarje janë përfshirë dy automjete civile, ku njëri prej tyre drejtohej nga një agjent i narkotikëve, i shoqëruar edhe nga një tjetër efektiv policie. Sipas burimeve, dy efektivët ndodheshin në terren në kuadër të një operacioni për goditjen e shpërndarjes së drogës.

Dyshohet se i arrestuari, i identifikuar si V. Dushku, në tentativë për t’iu shmangur ndjekjes nga policia, ka përplasur automjetin ku udhëtonin efektivët.

Nga përplasja, dy agjentët kanë mbetur të plagosur, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është shtruar në spitalin e Korçës, ndërsa tjetri është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Burimet bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes policore, të dyshuarit iu gjetën edhe 12 doza kokaine, të cilat dyshohet se ishin të destinuara për shpërndarje. Ai kishte hapur një lokal në fshatin Lumalas, të cilin e përdorte për shpërndarjen dhe konsumimin e drogës.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore konfirmon se është vënë në dijeni për rastin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)