Salianji nga protesta: Takimet me demokratët për të “zgjuar” PD-në, opozita duhet të ripërtërihet për të rrëzuar Ramën

Anëtari i Kryesisë së demokratëve theksoi se do të jetë në çdo protest dhe akt që është kundër qeverisjes së socialistëve.

22.12.2025. 20:57

Salianji nga protesta: Takimet me demokratët për të “zgjuar” PD-në, opozita duhet të ripërtërihet për të rrëzuar Ramën

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar nga protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë se angazhimi i tij në takime me demokratët dhe qytetarët ka pasur si qëllim nxitjen e reagimit politik dhe “zgjimin” e Partisë Demokratike. Sipas tij protesta tregoi se opozita ka hyrë në një fazë më aktive, ndërsa strukturat e PD-së janë angazhuar për të garantuar pjesëmarrje të gjerë, në një moment që sipas tij vjen pas skandaleve të njëpasnjëshme që kanë përfshirë qeverinë.

Salianji theksoi se do të vijojë takimet me bazën e PD-së dhe qytetarët, me synimin e ripërtëritjes së strukturave drejtuese dhe përgatitjes së opozitës për përmbysjen e qeverisë aktuale. “I gjithë qëllimi i takimeve masive me demokratët ka qenë për të rizgjuar PD-në, për të kërkuar protestë dhe revoltë dhe PD duket se sot është zgjuar, me pjesëmarrjen dhe angazhimin e strukturave të saj, është rizgjuar dhe është me energji tjetër”, tha ai.

“Duhet të ndajmë shtetin nga të korruptuarit për të kthyer një shtet në shërbim të qytetarëve. Do të jem në çdo protestë dhe akt që do të jetë kundër Edi Ramës”, u shpreh Salianji. Rreth vazhdimit të takimeve me bazën e demokratëve, anëtari i kryesisë së PD-së tha se kjo është e domosdoshme në situatën aktuale politike.

Ai foli edhe rreth zërave për divergjenca me Sali Berishën, ku pranoi se mendime të ndryshme ekzistojnë, por i konsideroi pjesë normale të procesit të ndryshimit. “Çdo ndryshim nuk vjen pa divergjenca mendimesh. Unë mendoj që është e domosdoshme që PD të jetë e gatshme edhe njëherë tjetër dhe e ripërtërirë për të rrëzuar Edi Ramën”, deklaroi Salianji.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)