Pas protestës kombëtare të zhvilluar nga Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i saj Sali Berisha në një konferencë për media hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke e cilësuar situatën politike si një “përballje jetë a vdekje për demokracinë shqiptare”.
Sipas Berishës, protestat e opozitës kanë çuar tashmë në rrëzimin politik të kryeministrit, ndërsa paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar deri në largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ai po ashtu akuzoi Ramën se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë ligjore për aferat korruptive përmes ndryshimeve ligjore dhe se po mbron ministra të përfshirë në afera të rënda.
“Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje jetë a vdekje të demokracisë shqiptare. Edi Rama nuk do t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut sepse është vetë prapa akteve të kryera prej saj. Ai është i gatshëm të ndryshojë çdo ligj e rregullore për të nxjerrë gjithçka jashtë përgjegjësisë ligjore. Kjo do të shënonte vdekjen e opozitës”, deklaroi kreu i PD.
Berisha theksoi se shuarja e opozitës do të sillte, sipas tij, edhe shuarjen e sovranitetit të brendshëm të vendit. “I garantoj shqiptarët se shuarja e opozitës është shuarja e sovranitetit të brendshëm. Nuk mundet që një bandë kriminale, e implikuar në akte të rënda, në kontroll të paligjshëm të të dhënave të qytetarëve, të vazhdojë të qeverisë vendin.”
Në deklaratën e tij, Berisha tha se kryeministri është “shkarkuar politikisht” përpara opinionit publik dhe ndërkombëtar.
“Mbrëmë Rama u shkarkua nga detyra. Para botës është një kapobandë, një avokat mjeran që fshihet pas ministrave dhe bashkëpunëtorëve të tij. I ftoj të gjithë të jenë të gatshëm të përshkallëzojnë betejën deri në përmbushjen e misionit. Misioni ynë është largimi i kësaj qeverie, një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD denoncoi gjithashtu atë që e quajti “terror policor” ndaj protestuesve, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të personave të ndaluar, përfshirë edhe dy shtetas kosovarë.
“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës. Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar. Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi. Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta. E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës. Kanë bërë foto. Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të. Tani këtë e kanë arrestuar. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë. Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar”, theksoi Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)