Deputetët e Partisë Demokratike Klevis Balliu, Besart Xhaferri, Elda Hoti, së bashku me anëtarë të FRPD-së, protestuan në Surrel, pranë shtëpisë së kryeministrit Rama, në një aksion simbolik që ata e cilësuan si “flaka e shpresës kundër narkoshtetit”. Me pishtarë të ndezur, protestuesit hodhën akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe i bënë thirrje që të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë.
Nga Surreli, deputeti Klevis Balliu deklaroi se nëse kryeministri nuk largohet nga detyra, protesta do të përshkallëzohet. Sipas tij, qëndrestarët që protestuan më 22 dhjetor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë të gatshëm ta zhvendosin aksionin e tyre edhe në këtë zonë.
Balliu akuzoi Ramën për shpopullimin e vendit, duke pretenduar se 1.2 milionë shqiptarë janë detyruar të largohen nga Shqipëria për shkak të qeverisjes së tij. Ai e akuzoi gjithashtu për vjedhje të parave publike, lidhje me figura të caktuara të pushtetit dhe dorëzimin e institucioneve të rendit në duart e krimit të organizuar, duke e cilësuar kryeministrin si përgjegjës për pasigurinë, varfërimin dhe largimin e të rinjve nga vendi.
“Nëse nuk jep dorëheqjen dhe nuk përballet me drejtësinë, shqiptarët do ta çojnë vetë para drejtësisë,” u shpreh Balliu gjatë protestës.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai shkroi se protestuesit shkuan në Surrel për t’i dërguar një mesazh të qartë kryeministrit, duke theksuar se “flakët e shpresës do ta djegin narko-pushtetin”. Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa PD paralajmëron vijimin e aksioneve opozitare në ditët në vijim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)