Berisha: AKSHI, afera më e rëndë e familjes Rama

Sipas kreut të demokratëve, fituesi “de facto” i tenderave ka qenë Armand Frangu, kunati i bashkëshortës së kryeministrit, Linda Rama.

30.12.2025. 13:48

Berisha: AKSHI, afera më e rëndë e familjes Rama

Akuza e radhës nga opozita lidhet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Në daljen e radhës përpara mediave, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi AKSHI-n si aferën më të zezë të familjes Rama.

Sipas kreut të demokratëve, fituesi “de facto” i tenderave të AKSHI ka qenë Armand Frangu, i cili sipas tij ka lidhje familjare me kryeministrin përmes bashkëshortes së tij, Linda Rama. Ai pretendon se pas ekspozimit publik dhe dokumentimit të kësaj lidhjeje, skema ka vijuar përmes kompanive të përdorura si “prestanome”.

“Deri dy vite më parë, fituesi i të gjitha tenderave de facto ishte Armand Frangu, kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës. Por pas zbulimit, pas regjistrimit, pas vërtetimit të ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u veprua me prestanome dhe 93 përqind të të gjitha tenderave të kopshtit privat të Edi Ramës fitoheshin nga dy kompani, të dyja në fakt kompani të Armand Frangut. Kompania e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit. Kompani të cilat siguruan fitime përrallore pa bërë, njëlloj si në djegësin e Tiranës, asnjë tullë, asnjë veprim.”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve shtoi: “Aferat janë të panumërta të këtij viti, por afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama. A mund të imagjinoni ju një kompani që regjistrohet me 1 mijë euro dhe përfundon pas 4 muajsh me dhjetëra milionë euro në kontot e saj bankare duke pasur si shpenzim të vetëm rrogat e dy punonjësve? Asnjë import, asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë aktivitet përveçse vjedhjes për llogari të Edi Ramës dhe Armand Frangut”.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka tentuar të relativizojë akuzat, duke deklaruar se paratë nuk janë vjedhur, por “përdorur”. Berisha u shpreh se, sipas tij, kjo përbën një pranim indirekt të përvetësimit të fondeve publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)