Ndërron jetë ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa.

30.12.2025. 15:10

Ndërron jetë ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa. Lajmi u bë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një mesazh ngushëllimi, Balla shprehet se Zyhdi Pepa ka qenë një figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste dhe e jetës publike shqiptare.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreha sot ngushëllimet familjes së shokut dhe profesorit tonë Zyhdi Pepa, i cili u nda nga jeta. Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, si dhe ka mbajtur detyrat e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Bujqësisë. U prehsh në paqe, Profesor”, shkruan Balla.

Zyhdi Pepa shërbeu si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, një periudhë kyçe për vendin, kur bujqësia ishte ndër sektorët më të ndjeshëm dhe jetikë të ekonomisë shqiptare. Mandati i tij përkoi me hapat e parë të reformimit ekonomik, privatizimin e tokës dhe riorganizimin e institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.

Në të njëjtën kohë, Pepa ushtroi edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverive të tranzicionit që kishin për mision menaxhimin e stabilitetit politik dhe institucional të vendit. Ai mbajti këto detyra në qeverinë e drejtuar nga Ylli Bufi dhe më pas në atë të Vilson Ahmetit.

Kontributi i tij mbetet i lidhur me një nga periudhat më të vështira, por edhe më vendimtare, të historisë së pas viteve ’90 në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)