Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se opozita do të organizojë një protestë para datës 20 shkurt. Në daljen për mediat nga selia blu, Berisha ka theksuar se protestat nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë deri në realizimin të kërkesave të opozitës, ku kryesorja është shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk heqim dorë nga protestat. Flamujt e partive, ku do të jenë dhe ato jashtë spektrit të këtyre familjeve, janë një frymëzim dhe jo pengesë. Nëse flamuri i partisë ‘Mundësia’ ngrihet, e mbështetën atë parti. Po kështu dhe ato të PD-së. Të themi të vërtetën, nuk është se nuk do të donim të shihnim daljen pa parti të qytetarëve në shesh, por kjo është e rrallë”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka përmendur edhe protestat e kaluara, siç ishte kundër përdorimit të armëve kimike, duke theksuar se këto protesta janë bërë pjesë e historisë dhe kanë kontribuar në zhvillimin e vendit.
Kreu i PD-së ka ftuar të gjitha partitë opozitare që të bashkohen në një front të gjerë për të dhënë një goditje të fundit qeverisë aktuale. Sipas tij, protesta e ardhshme ka për qëllim të dërgojë një mesazh të fortë kundër qeverisë dhe përfundimit të narko-shtetit.
“Do ftojmë të gjitha partitë. Është koha të krijojmë një front të gjerë opozitës që forcat opozitare politike të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe dhe t’i japin goditjen e fundit narko-regjimit. Data e radhës do të përcaktohet por ka shumë mundësi që të mbahet para datës 20 shkurt. Konsultimet nisin sot. Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta”, shtoi Berisha.
Berisha ka përmendur gjithashtu 20 shkurtin si një datë simbolike dhe ka theksuar se protestat e opozitës do të vijojnë me forcë.
“Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta. Ndaj dhe i them edhe njëherë jep dorëheqjen menjëherë. Jep dorëheqjen sepse do të tërheqin dhe mos harro kurrë 20 shkurtin se çfarë dinë të bëjnë shqiptarët me kultet e rreme, me kultet satanike. Pra, jep dorëheqjen”, ka përfunduar Berisha, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)