Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke konstatuar se masa e arrestit shtëpiak e vendosur ndaj tij ka qenë e tejzgjatur dhe në kundërshtim me parimin e afatit të arsyeshëm.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të vendimeve të gjykatave më të ulëta që kishin konfirmuar vazhdimin e masës së sigurisë.
Gjatë seancave periodike të raportimit, avokatët e Berishës kishin kundërshtuar vazhdimisht kërkesat e Prokurorisë së Posaçme për vijimin e arrestit shtëpiak, duke argumentuar se masa ishte e pajustifikuar dhe e zgjatur në kohë.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në datën 17.12.2025 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Sali Berishën, me objekt: “Shfuqizimin e vendimeve nr. 400, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese (Gjykata) u mblodh në datën 15.01.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve vlerësoi, për sa vijon:
Në vitin 2023 ndaj kërkuesit rezulton se, për kërkesën e prokurorit, nga gjykatat e zakonshme janë vendosur masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pasi në vlerësimin e nevojave të sigurimit gjykatat kanë pranuar se ekzistonin shkaqe që vinin në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe, po ashtu, ekzistonte edhe rreziku i ikjes së kërkuesit (procesi i parë).
Vendimet gjyqësore që kanë disponuar për këto masa sigurimi janë bërë objekt i shqyrtimit nga Gjykata, e cila, me vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 (vendimi nr. 81/2024), ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kishin vendosur ato masa, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, me arsyetimin se në caktimin ndaj kërkuesit të këtyre dy masave vendimeve të gjykatave u mungon arsyetimi, për rrjedhojë nuk rezulton që të kenë vlerësuar nevojën për caktimin tyre për të njëjtin procedim ndaj tij.
Për shkak se kërkuesi nuk ka respektuar një prej masave të sigurimit të caktuar nga gjykata, “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për kërkesën e prokurorit gjykatat e zakonshme, në datën 30.12.2023, kanë zëvendësuar masat e sigurimit të vendosura ndaj kërkuesit me masën “Arresti në shtëpi” (procesi i dytë). Edhe procesi gjyqësor që disponoi për zëvendësimin e masave të sigurimit ndaj kërkuesit, duke caktuar masën “Arresti në shtëpi”, është bërë objekt i kontrollit kushtetues nga Gjykata, e cila, me vendimin nr. 1, datë 17.01.2025, ka vendosur rrëzimin e kërkesës.
Rasti në shqyrtim lidhet me një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 30.07.2024, përmes të cilit është disponuar për vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”. Gjykata, bazuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së (shih, ndër të tjera, Buzadji kundër Moldavisë, Dhoma e Madhe, datë 05.07.2016), vlerësoi t’i analizojë vendimet gjyqësore në drejtim të kufizimit të lirisë personale për periudhën që ato kanë prodhuar pasoja juridike.
Në vlerësimin e kësaj çështjeje, Gjykata konstatoi se gjykatat në shqyrtimin e kushteve dhe të kritereve për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” (të caktuar në procesin e dytë), kanë arsyetuar se nevojat e sigurimit paraqiten të pandryshuara me ato për të cilat në gjenezë është konkluduar se kërkuesi duhej të vendosej nën një masë sigurimi.
Në këtë kuptim, Gjykata evidentoi se gjykatat që kanë lejuar vijimin e masës së sigurimit personal “Arresti në shtëpi”, u janë referuar të njëjtave nevoja sigurimi si në momentin fillestar kur janë caktuar masat e sigurimit ndaj kërkuesit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” (procesi i parë).
Gjykata konstaton se për këtë të fundit, në vendimin e saj nr. 81/2024, ka konsideruar që për sa kohë u konstatua mungesë në vlerësimin e elementit të nevojës për kufizimin e të drejtave dhe të lirive të kërkuesit, në raport me mbarëvajtjen e procedimit penal, kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Po kështu, Gjykata, mbi bazën e të njëjtave argumente, konstatoi se edhe vetëm masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” duket se i plotësonte nevojat e sigurimit.
Ndërkohë, në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, në lidhje me rrezikun e ikjes, nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se ajo përmbushej nga masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Megjithatë, për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi”.
Nisur nga kjo, Gjykata konstatoi se arsyetimi i vendimeve gjyqësore nuk është i mjaftueshëm në aspektin kushtetues në vlerësimin e kësaj nevoje sigurimi, duke mbajtur parasysh edhe faktin se justifikimi për caktimin fillimisht të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” konsistonte në mosrespektimin, moszbatimin nga kërkuesi të masës “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Në vlerësimin e Gjykatës, vetëm një rrethanë e tillë nuk mund të justifikojë vijimin e zbatimit ndaj kërkuesit të masës “Arresti në shtëpi”, pra nuk mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për zgjatjen në kohë të gjatë të kufizimit të lirisë, pa arsyetuar për ndonjë arsye të re që justifikon vijimin e masës konkrete (“Arresti në shtëpi”).
Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se vendimet objekt i këtij gjykimi kushtetues, që kanë disponuar për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.
Për shkak se masa e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk është më në fuqi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 03.01.2025 ka vendosur zëvendësimin e saj me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Gjykata vendosi të mos i shfuqizojë vendimet objekt të këtij shqyrtimi kushtetues.
Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata vendosi: “Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Deklarimin si antikushtetuese të vendimeve nr. 400, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, sipas arsyetimit të mësipërm të këtij vendimi, vetëm për pjesën që disponon për kërkuesin Sali Berisha. Shpenzimet e përfaqësimit të kërkuesit në vlerën 75.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave.”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)