“BE ka vënë kushte që s’i merrni dot me mend”, Rama: Shqipëria sot "ngel" tek standardet ushqimore

Kryeministri Edi Rama thotë se aktualisht, Shqipëria nuk i përmbush standardet e BE, lidhur me sigurinë ushqimore, për shkak të standardeve të ulëta.

16.01.2026. 12:25

“BE ka vënë kushte që s’i merrni dot me mend”, Rama: Shqipëria sot "ngel" tek standardet ushqimore

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po zhvillohet nën një presion të fortë kushtesh për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kryeministri Edi Rama i cilësoi si të paprecedenta.

Në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Rama pranoi se Shqipëria përballet me barriera shumë më të vështira sesa vendet që janë anëtarësuar më herët në BE, duke theksuar se krahasimet me shtetet evropiane nuk janë të drejta dhe as të dobishme.

Sipas Ramës, procesi i përafrimit të legjislacionit me atë evropian nuk është një ushtrim formal apo një debat i zakonshëm politik, por një angazhim i detyrueshëm që buron nga negociatat me Komisionin Evropian.

“Ne nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë. Draftet që vijnë në parlament janë produkt i negociatave me Komisionin Evropian dhe duhet të miratohen. Nëse fillojmë t’i ridiskutojmë, atëherë duhet të diskutojmë nëse duam të hyjmë në BE apo jo”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te një gabim i shpeshtë, sipas tij, i deputetëve dhe zyrtarëve, që krahasojnë legjislacionin shqiptar me atë të vendeve të tjera anëtare të BE-së.

“Që ta bëni si Franca, duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria. Ata që kanë hyrë më herët në BE e kanë pasur shumë më të lehtë. Sot, ne kemi kushte që as Kroacia nuk do t’i merrte dot me mend”, tha Rama.

Një nga shqetësimet më serioze të ngritura nga Kryeministri lidhet me sektorin e sigurisë ushqimore, ku Shqipëria, sipas tij, aktualisht nuk përmbush standardet minimale të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, qeveria shqiptare po negocion një fazë të ndërmjetme pas anëtarësimit.

“Në kushtet e sotme, ne jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Po kërkojmë një fazë të ndërmjetme 5-vjeçare pas anëtarësimit, për t’i dhënë kohë vendit të përmbushë kriteret”, deklaroi Rama.

Ai solli si precedent rastin e Kroacisë, e cila ka përfituar një periudhë tranzitore 10-vjeçare për standardet mjedisore, duke theksuar se një mekanizëm i tillë është pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së.

Rama rikujtoi situatën problematike të viteve të shkuara, duke përmendur tregjet informale dhe mungesën e kontrollit në zinxhirin ushqimor, ndërsa pranoi se megjithëse është bërë progres, Shqipëria mbetet ende larg standardeve evropiane.

“Nëse nuk përmbushim kriteret, pas përfundimit të periudhës së ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet jashtë, madje edhe brenda vendit mund të bllokohet. Skenari më pesimist është që gjithçka që hahet të importohet”, paralajmëroi Kryeministri.

Në përfundim, Rama theksoi se procesi kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm institucional dhe politik, pa tolerime dhe pa kompromise në dëm të standardeve.

“Duhet super punë dhe super vendosmëri, për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës për të vazhduar të punojë”, përfundoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)