Përmbytjet “një krim shqiptar”, Rama kritika qytetarëve: E keni bërë Shqipërinë landfill kudo, do ngremë Task Forcë

Kryeministri Edi Rama njoftoi nga takimi me kryebashkiakët në Golem, ngritjen e një Task Force që do koordinojë veprimet e pushtetit vendor dhe qeverisë në sensibilizimin dhe punën konkrete në terren, sa i përket ndotjes nga plastika, të cilën e cilësoi një krim shqiptar që i dha "dorë" përmbytjeve.

17.01.2026. 12:30

Përmbytjet “një krim shqiptar”, Rama kritika qytetarëve: E keni bërë Shqipërinë landfill kudo, do ngremë Task Forcë

Takimin me kryebashkiakët në Golem, kryeministri Edi Rama e ka nisur duke adresuar problematikën e përmbytjeve, duke bërë fajtor për to edhe popullatën e duke e cilësuar hedhjen e plastikës që bllokon kanalet kullues një “krim shqiptar”.

Sipas Ramës, sasia e madhe e mbeturinave që hidhet rrugëve të vendit, e ka kthyer Shqipërinë në një landfill të madh.

“Viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike preku një pjesë jo të vogël të territorit dhe që na përballi me sfidën e emegjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë e zjarre dhe më shumë befasira në aspektin e atmosferë ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit që sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngërçe në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqëndrime dhe reshje shiu e borë me intensitet të lartë. Në këto kushte nuk ka shumë për të bërë por patjetër që ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun dhe pamë se si kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrënshqethëse e shumëkujt ndër ne që si qytetar i kësaj Republike apo si vizitorë shqipfolës, se nuk hedhin turistët mbetje plastike në rrugë, e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet. Dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku këtu hyn edhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve në territoret rurale mblidhet dhe falë erës vjen e bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit sic ndodhi në Shkozet, Gjirokastër, në disa pika të tjera”, tha Rama.

Shefi i qeverisë po ashtu njoftoi se do të ngrihet një Task Forcë ku do të koordinohen pushteti vendor dhe ai qendror për të hartuar një plan me tre faza që do të fokusohet tek sensibilizimi për ndotjen nga plastika dhe puna konkrete në terren.

“Kur gjendemi përballë kësaj situate agresioni plastik, që është drejtpërdrejt ndikim i njeriut, duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët dhe për të përfshirë sa më shumë komunitetin, në mënyrë që ta vëmë nën kontroll këtë faktor kaq të dëmshëm. Plastika derdhet në det dhe shkakton dëme të pariparueshme për jetën detare dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është një krim shqiptar. Nuk duhet të kërkojmë fajtorë te turistët spanjollë, japonezë apo gjermanë. Duhet të marrim masa konkrete dhe për këtë arsye i kam kërkuar Ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një Task Forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të konceptuar një plan me tre faza, që nga sensibilizimi deri te veprimi konkret”, deklaroi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)