3 orë protestë, molotov, fishekzjarrë, ujë me presion e gaz lotsjellës/ Berisha: Gati për kilometrin e fundit

Protesta kombëtare e opozitës, e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, u shoqërua me tensione të forta, përplasje me policinë dhe deklarata të ashpra politike nga drejtuesit opozitarë.

24.01.2026. 17:25

3 orë protestë, molotov, fishekzjarrë, ujë me presion e gaz lotsjellës/ Berisha: Gati për kilometrin e fundit

Protesta kombëtare e opozitës, e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, u shoqërua me tensione të forta, përplasje me policinë dhe deklarata të ashpra politike nga drejtuesit opozitarë. Me mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në një tubim të thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj.

Fjalimet nisën me nënkryetarin e PD-së, Luçiano Boçi, i cili e cilësoi qeverinë si “qeverinë e hajnisë” dhe bëri thirrje për rrëzimin e saj, duke renditur një sërë aferash që, sipas tij, përfshijnë miliarda euro. Më pas, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se “ky regjim nuk duhet të qëndrojë asnjë minutë më në pushtet”, duke e akuzuar për lidhje me interesat mafioze.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, iu bashkua protestës rreth orës 17:25 dhe në fjalën e tij theksoi se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit të triumfit”, duke bërë thirrje për bashkim të të gjitha rajoneve dhe krijimin e një qeverie teknike. Pas përfundimit të fjalës së tij, situata u përshkallëzua, ku protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë.

Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke shpërndarë protestuesit, të cilët u zhvendosën drejt Parlamentit. Autoritetet konfirmuan se disa efektivë policie mbetën të lënduar. Nga selia e PD-së, Berisha u bëri thirrje policëve të mos zbatonin, sipas tij, urdhra antikushtetuese dhe kërkoi lirimin, sipas tij, të 25 protestuesve të ndaluar, duke theksuar se opozita ka vetëm një mision, përmbysjen e qeverisë aktuale.

***

Ora 20:10 - Berisha nga selia e PD: Policët të mos bëhen ushtarë të Ramës, kilometri i fundit për fundin e Ramës

“Ju bëj thirrje policëve, mos u bënë shërbëtor, ushtarë, të një njeriu që nuk ka as ligj dhe as moral. Mos u bëni shërbëtor të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptar. Sot duhet të betohemi se me këtë betejë, kilometri i fundit do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe i narkoqeveritarëve të tjerë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësor, të cilët nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtjeje. Ju kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë, të mos zbatojnë asnjë urdhër që bie ndesh me kushtetutën e vendit. Nuk mundet kurrë një popull me asgjë. Ata njerëz ishin të gatshëm ti jepnin Edi Ramës në 30 minuta atë që meritonte. Kjo gatishmëri do të vazhdojë. Ne kemi një mision dhe vetëm një mision, përmbysjen e këtij narkoregjimi Asgjë se shpëton dot më këtë”.

Ora 19:50 - Protesta kombëtare e opozitës këtë të shtunë vijon të jetë e tensionuar pranë Parlamentit, ku ndodhen ende me qindra protestues, të cilët janë duke u përplasur me policinë.

Me mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht para godinës së Kryeministrisë, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në një tubim të thirrur nga opozita.

Fjalimet nisën me nënkryetarin e PD-së, Luçiano Boçi, i cili deklaroi se “duhet ta shembim këtë pushtet” dhe e cilësoi qeverinë si “qeverinë e hajnisë që ka vjedhur shqiptarët”, duke renditur një sërë aferash korruptive. Më pas, fjalën e mori edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u shpreh se “ky regjim nuk duhet të qëndrojë më asnjë minutë në krye të vendit”, duke e cilësuar qeverinë si përfaqësuese të interesave mafioze.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, iu bashkua protestës rreth orës 17:25 dhe në fjalën e tij deklaroi se “sot jemi në kilometrin e fundit të triumfit”, duke bërë thirrje për bashkim të të gjitha rajoneve për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.

Pas fjalës së Berishës, situata u tensionua, ku u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, të cilët më pas u zhvendosën drejt godinës së Parlamentit. Policia konfirmoi se disa efektivë mbetën të lënduar gjatë incidenteve.

Ora 19:25 - Policia konfirmon zyrtarisht se disa efektivë kanë mbetur të lënduar si pasojë e molotovëve para kryeministrisë.

Ora 19:20 - Policia hedh gazlotsjellës për të shpërndarë protestuesit që u zhvendosën nga Kryeministria te Parlamenti.

Ora 19:05 - Pjesa më e madhe e protestuesve është larguar, ndërsa me qindra prej tyre janë zhvendosur te godina e Parlamentit, aty ku janë zhvendosur edhe efektivët e policisë.

Ora 18:53  - Policia tenton të shpërndajë protestuesit me ujë me presion e gaz lotsjellës. Ndërkohë zëri nga drejtuesit e opozitës iu bëri thirrje protestuesve që të zhvendosen për te godina e Parlamentit.

Ora 18:50  - Molotovë e fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë pas fjalës së Berishës

Menjëherë pas fjalës së Sali Berishës, teksa kreu demokrat ishte ende në podium, nisën të hidheshin molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe kokat e qindra policëve që ndodheshin aty.

Ora 18:45 - Sali Berisha: Të bashkohen të gjitha rajonet për kilometrin e fundit

“Sonte është thirrja e madhe për çdo rajon, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri për të krijuar një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për dinjitetin e tyre dhe interesin kombëtar, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë, për ligjin dhe kushtetutën, për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit”.

Ora 18:30 - Sali Berisha: Sot jemi në kilometrin e fundit të triumfit

“Sot jemi në kilometrin e fundit të triumfit. Ne u ngritëm si feniksi nga hiri dhe nga izolimi arritëm në kilometrin e fundit, pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam si shpresa e vetme e sigurt e shqiptarëve”.

Ora 18:00 - Tedi Blushi, nënkryetar i Partisë së Lirisë: Ky regjim nuk duhet të qëndrojmë më asnjë minutë në krye të vendit

“Edhe sa duhet t’i durojmë këta banditë? Ky regjim që ruan Edi Ramën dhe çetën e tij të kusarëve, që nuk ka një polic të ruajë fëmijët tanë, nuk duhet ta lejojmë më asnjë minutë të qëndrojë në pushtet. Çdo zonë që është përmbytur duhet të dijë mirë se kjo valë do ta përmbytë një herë e përgjithmonë këtë regjim. Shqipëria jonë, nuk mund të jetë kurrë më narkoshtet, as plaçkë e mafies ndërkombëtare. Ky regjim që mbron interesat mafioze të pakicës nuk mund të përfaqësojë më republikën e Shqipërinë, republika duhet t’i kthehet sovranit”.

Ora 17:40 - Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi: Kemi detyrë të rrëzojmë qeverinë e hajnisë. Edi Rama kreu që ka vjedhur shqiptarët

“Duhet ta shembim këtë pushtet. Aty është vendi i hajnisë që kafshon qytetarët, shembja e saj është detyrë para të gjithë shqiptarëve. Në Shqipëri, aferat janë marramendëse, vjedhja ka emër dhe ka shifra. Nga koncesionet, laboratorët e tunelet dhe këtu janë miliardat. Nga Veliaj te Balluku, Agasi dhe nuk mbaron me AKSH-in. Në të gjithë këtë përmbledhje ka një emër, klouni ynë modern, hajduti i miliardave euro, Edi Rama”.

Ora 17:30 - Kordon i trefishtë me policë sigurojnë godinën e Kryeministrisë.

Ora 17:25 - Berisha del nga selia dhe i bashkohet protestës

Kreu demokrat, Sali Berisha ka dalë nga selia e Partisë Demokratike dhe i ndjekur nga qytetarët është nisur drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku prej minutash janë grumbulluar me mijëra qytetarë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku për një sërë akuzash të opozitës, por edhe nga SPAK.

​***

Me mijëra qytetarë janë grumbulluar tashmë para Kryeministrisë, aty ku sot do të mbahet protesta kombëtare e opozitës.

Ndërkohë, më shumë se një mijë forca policore kanë blinduar godinën e kryeministrisë.

***

Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të tubimit të paralajmëruar nga përfaqësues të Partisë Demokratike, i cili do të zhvillohet sot përpara Kryeministrisë, duke nisur nga ora 17:00. Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, masat synojnë garantimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e qytetarëve, si dhe të pronës publike dhe private.

Për mbarëvajtjen e protestës, Policia bëri me dije se do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore. Prej mesnatës mes të premtes dhe të shtunës u ndalua lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri në rrugën “Ismail Qemali”. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të tubimit.

Nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Policia njofton se, në varësi të zhvillimit të situatës, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Në këto raste, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative.

Policia e Tiranës i bëri apel qytetarëve, që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar zhvillimin e tubimit. Njëkohësisht, duke iu referuar disa deklaratave publike, Policia apeloi që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm, i cili cenon rendin dhe sigurinë publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)