Berisha reagon për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve: Kushtrim për t’u ngritur në revoltë

Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi edhe njeherë Edi Ramën se po pengon kërkesën e drejtësisë për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut. Sipas tij, shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve është një tjetër thirrje për revoltë.

28.01.2026. 17:59

Berisha reagon për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve: Kushtrim për t’u ngritur në revoltë

Sali Berisha ka reaguar nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas vendimit të Kuvendit për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kreut të demokratëve, Rama dhe veglat e tij në Kuvend kanë bllokuar kërkesën e SPAK, duke vërtetuar se është ai padrinoja i sistemit kleptokratik që është instaluar në Shqipëri.

“Këtu, nga salla e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, antikushtetues të Ramaduros dhe veglave të tij, Peleshit të parlamentit, të cilët në një vendim jashtë çdo lloji dhe kushtetute bllokoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për arrestimin e kryehajdutes së vendit, Lubi Ballukut, vetëm e vetëm se aferat e saj janë të pandashme me aferat e Ramaduros.

Me këtë akt, Edi Rama fakton para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ai është padrinoja, jo vetëm i narkoshtetit por dhe i sistemit kleptokratik që ka vendosur në Shqipëri.

Me këtë akt, ai u thotë shqiptarëve se ne ju kemi vjedhur dhe do të vazhdojmë t’ju vjedhim”, u shpreh ai.

Berisha shton mes të tjerash se ky akt është një tjetër thirrje e kushtrim për një revoltë të qytetarëve për të larguar qeverinë Rama.

“Por ky vendim është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë, revoltën, zemërimin e tyre, të ngrihen në revoltë dhe zemërim për të larguar një minutë e më parë këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, nga pushteti.

Shqiptarët në këtë betejë kanë me vete, kanë mbështetje, kanë aleatë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe mbarë qytetarët e lirë në Europë dhe në botë, të cilët shohin tashmë qartë tek narkodiktatori i Tiranës një kopje siameze të Noriegës apo Maduros së Venezuelës”, përfundon Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)