Spiropali në Uashington, takime në Kongres dhe Senatin Amerikan

Me një agjendë të ngjeshur politike dhe mesazh të qartë për forcimin e aleancës strategjike, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka vijuar vizitën e saj zyrtare në Uashington me një sërë takimesh të nivelit të lartë.

04.02.2026. 18:45

Spiropali në Uashington, takime në Kongres dhe Senatin Amerikan

Me një agjendë të ngjeshur politike dhe mesazh të qartë për forcimin e aleancës strategjike, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka vijuar vizitën e saj zyrtare në Uashington me një sërë takimesh të nivelit të lartë në Kongresin Amerikan, ku në qendër ishte thellimi i bashkëpunimit Shqipëri–SHBA në disa fusha kyçe.

Shefja e diplomacisë shqiptare u prit nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongres, Brian Mast, veteran i ushtrisë amerikane dhe mbështetës i konsolidimit të marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë takim u nënvizua bashkëpunimi i ngushtë në fushën e sigurisë si vende aleate në NATO, si dhe angazhimi i përbashkët për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Gjatë vizitës në Kongres, Spiropali zhvilloi gjithashtu një takim me Kongresmenin Jimmy Patronis, ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit ndërsektorial, me fokus të veçantë në rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, sidomos në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Një vëmendje e posaçme iu kushtua rëndësisë strategjike të Korridorit VIII për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s.

Ministrja u prit edhe nga Kongresmenët Ritchie Torres, Bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, William R. Keating dhe Keith Self, të cilët u njohën me zhvillimet në rajon dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë. Spiropali falënderoi për vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se angazhimi amerikan mbetet vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik.

Vizita do të vijojë në Senatin Amerikan me takime me Senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, si dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe drejtues të “The Heritage Foundation”, duke riafirmuar Shqipërinë si partner të besueshëm të SHBA-ve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)