Në konferencën për shtyp të kësaj të enjte kreu i demokratëve Sali Berisha foli për rrugën Qukës- Qafë Plloçë që sipas tij u zhvatën fondet për skarpatet.
"Për të kuptuar se sa u kushtoi shqiptarëve pallati në pajë i gjysmës më të mirë të Edi Ramës, zonjës Linda Rama, do u jap këtu shembull vetëm lotin 3 të kësaj rruge. Loti 3 i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, sipas hetimit që ka bërë emisioni investigativ Plug, rezulton se ka një gjatësi 9.3 kilometra. Loti 3 nuk ka asnjë urë në ato 9 kilometra. Nuk ka asnjë tunel, pra ka një terren më të zakonshmin, dhe ka kushtuar me çmimet Sako 87 milionë euro.
Ka kushtuar ky lot sa ç’ka kushtuar kilometri në Rrugën e Kombit me dhjetëra ura, tunele, siç e dini vetë, dhe me gjerësi 27 metra. Besoj se del shumë e qartë se çfarë hajdutësh të shpërfytyruar janë këta.Pra, 9 kilometra rrugë me gjerësi 10 metra rruga, kushton sa mesatarja e Rrugës së Kombit me tunele e ura, kjo pa asnjë tunel dhe urë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe gazetarët investigativë kanë gjetur se paratë- ua kam thënë këtu disa herë- paratë e parashikuara për forcimin e skarpateve, që është një kusht i pakapërcyeshëm në ndërtimin e rrugëve, parashikuar me 2.5 milionë euro, janë pjesëtuar me katër nga firma dhe janë përdorur për vëllime të tjera, të cilat nuk maten. Për mashtrim pra. Nuk janë përdorur për armimin e shpateve, për forcimin e skarpateve. Jo. Edhe ato i ka pjesëtuar me 4. Nga 2.5 milionë, janë përdorur rreth 900 mijë.
Pra janë përdorur vetëm 900 mijë për skarpatet, prandaj ato shemben si me qenë shpate kartoni sepse ato nuk janë përforcuar", tha Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)