Tirana, 120 minuta nën pushtetin e molotovëve e gazit lotsjellës, Berisha: Protesta e radhës më e fuqishmja

Protesta kombëtare e opozitës në Tiranë u shoqërua me tensione të forta, përplasje me policinë dhe incidente që zgjatën për më shumë se 120 minuta në disa pika kyçe të kryeqytetit.

20.02.2026. 18:30

Tirana, 120 minuta nën pushtetin e molotovëve e gazit lotsjellës, Berisha: Protesta e radhës më e fuqishmja

Ora 22:30 - Akuzat se u hodh gaz lotsjellës në xhami, reagon kryeministri Rama

Një ndër akuzat më të rëndë të bërë pas protestës së 20 shkurtit nga Partia Demokratike dhe kreu i saj, Sali Berisha, ishte se policia hodhi gaz lotsjellës pranë xhamisë së Namazgjasë, aty ku shumë besimtarë ndodheshin brenda.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas këtyre akuzave, duke postuar një foto të xhamisë, ndërsa në rrugën pranë saj ndodhen disa protestues.

“Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë”, ka shkruar Edi Rama bashkëngjitur fotos.

Ora 22:15 - Bardhi: Persona pa mjete identifikimi kanë rrethuar selinë e PD, mbi 40 të shoqëruar

Tensionet pas protestës së opozitës po shoqërohen me përplasje verbale mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe forcave të rendit. Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, së bashku me deputetin Klevis Balliu, akuzuan policinë për ndalime të shumta të protestuesve.

Bardhi deklaroi se persona pa mjete identifikimi kanë rrethuar selinë e PD dhe se “mbi 40 qytetarë”, përfshirë drejtues degësh, janë shoqëruar. Policia nuk ka dhënë ende një bilanc zyrtar mbi ndalimet.

“Çdo qytetar që ka protestuar në mënyrë paqësore që del nga selia e PD arrestohet nga punonjës me uniformë ose banditë që kanë rrethuar të gjithë perimetrin e selisë pa asnjë mjet identifikimi, civilë që Kanë marrë me dhjetëra kryetarë të degëve të PD. Deri tani janë mbi 40 persona”, tha Bardhi.

Ora 22:00 - Mbi 30 protestues të shoqëruar në polici

Deri në orën 22:00 raportohet se të paktën 30 protestues janë shoqëruar në komisariat për shkak të hedhjes së molotovëve gjatë protestës. Megjithatë, ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia.

***

Protesta kombëtare e opozitës në Tiranë u shoqërua me tensione të forta, përplasje me policinë dhe incidente që zgjatën për më shumë se 120 minuta në disa pika kyçe të kryeqytetit. Tubimi, i thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, përkoi me përkujtimin e 20 shkurtit, datë simbolike e rrëzimit të bustit të Enver Hoxha.

Që në orët e pasdites, protestuesit nisën të grumbulloheshin para Kryeministrisë. Lideri i opozitës, Sali Berisha, mbërriti në këmbë nga selia e PD-së, i shoqëruar nga mbështetës. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe paralajmëroi se “vjedhja e qytetarëve do të shpallet krim i rëndë”. Menjëherë pas përfundimit të fjalimit, situata u përshkallëzua, në drejtim të godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike.

Forcat e rendit reaguan me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përplasjet u zhvendosën më pas drejt Parlamentit dhe urës së Elbasanit, ku një grup protestuesish vijoi të hidhte molotovë, ndërsa policia iu përgjigj me gaz. Sheshi përpara Kuvendit u boshatis pjesërisht, ndërsa mjegulla e gazit lotsjellës mbuloi zonën.

Gjatë mbrëmjes u raportuan disa protestues të lënduar, disa prej të cilëve u transportuan në spital pasi kishin humbur ndjenjat. Autoritetet nuk publikuan një bilanc zyrtar për të plagosurit. Ndërkohë, policia njoftoi arrestimin e të paktën shtatë personave, të cilët sipas saj u kapën me çanta të mbushura me molotovë.

Një nga çështjet më të debatueshme ishte pretendimi për hedhje gazi lotsjellës pranë dhe brenda xhamisë. Berisha e cilësoi ngjarjen “krim të shëmtuar”, duke deklaruar se besimtarët myslimanë u prekën gjatë faljes pas iftarit. Reagime të forta pati edhe nga drejtues të tjerë të opozitës. Gazment Bardhi e quajti incidentin “akt të rëndë dhe të papranueshëm”, duke e lidhur me cenimin e lirisë së besimit.

Nga ana tjetër, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, apeloi për distancim nga dhuna dhe mbajtjen e të miturve larg përplasjeve. Ajo theksoi se “dhuna nuk është zgjidhje” dhe dënoi çdo akt të paligjshëm.

Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar edhe për shkak të qëndrimit të Policisë së Tiranës, e cila paraprakisht deklaroi se nuk e merrte përsipër mbarëvajtjen e tubimit, duke përmendur analiza risku dhe precedentë të dhunshëm. Megjithatë, u ndërmorën masa për sigurinë dhe bllokimin e disa akseve rrugore kryesore.

Në përfundim, Berisha deklaroi se protesta “nuk mbyllet këtu”, duke paralajmëruar një tjetër mobilizim në shkallë vendi.

***

Ora 21:35 - “E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës”, Berisha: Zoti i vraftë!

Fjala e kreut të Partisë Demokratike nga selia blu duket se përmbylli dhe protestën e sotme të opozitës, pas episodeve me molotov nga ana e protestuesve dhe gazit lotsjellës nga ana e policisë. Berisha tha se policia ka qëlluar me plumba gome duke akuzuar qeverinë se sot u prishi iftarin besimtarëve.

"Mirënjohjen më të pakufishme ju, qytetarëve dhe qytetareve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, që sot me 20 shkurt përsëritet në një formë apo një tjetër 20 shkurtin e vitit 1991. 
Natyrisht, në qoftë se shtatorja e Satanit ndodhej në piedestalin e saj në sheshin Skënderbeu, busti i pasardhësit të tij, busti i gjallë, nuk ndodhej as në Shqipëri. 
Por kjo nuk pengoi ju për të dëshmuar vendosmërinë më të madhe. Kjo nuk pengoi ju për t'u përballë dhëmb për dhëmb me falanga e krimit që përdorën të gjitha mjetet e paligjshme kundër kryengritësve paqësorë. 
Projekti i tyre, plani i tyre ogurzi për të krijuar gjakderdhje. 
Përsëri sot u shpalos duke qëlluar në ballë kandidate për, ish-kandidaten, kandidaten për deputete të Partisë Demokratike, Senada Mehmetin, një demokrate e flakët, e vendosur. Ju patë të tjerë, u qëlluan pas koke me bomba me gazlotësjellës.
Ju patë se si u përdorën bomba tymuese me acid nitrik helmues, si u përdorën bomba shurdhuese vetëm e vetëm për të akuzuar opozitën. Si u përdorën pra ato mjete që përdoren në pozicione luftarake me palë armike. 
Por sot përshkallëzimi i Edi Ramës kundër opozitës ka qenë i paprecedent. 
Sot, kriminelë me uniformë kanë hedhur bomba tymuese dhe bombola gazi në territorin e Partisë Demokratike. Sot, Edi Rama ka marrë, ka ndërmarrë një akt të pashembullt, ka sulmuar selinë e Partisë Demokratike si një hakmarrje ndaj kryengritësve paqësorë. 
I jap fjalën e nderit se në rast se guxon të sulmojë këtë seli, selive të tij gjurmë nuk do t'u gjejë. 
I them Edi Ramës, është mundim i madh për ne të përmbajmë qytetarët dhe sulmet e tyre ndaj selive të krimit. 
Po ata janë të gatshëm, të gatshëm, në çdo moment për t'i bërë ato të paqena. Prandaj, prandaj, urrejtjen atërore që ke ndaj pluralizmit, mos e shpreh duke gjuajtur bomba tymi dhe bombola gazi në selinë e Partisë Demokratike. 
Ne jemi kryengritës paqësorë, por ne nuk të tolerojmë sulmin ndaj selisë. Bombulat dhe bombat ndaj selisë sonë. 
Edhe një herë, hiq dorë nga sulmi në selinë e Partisë Demokratike. 
Jemi të gatshëm absolutisht nga mëngjesi gjerë në mesnatë të të përgjigjemi siç e meriton. Por përshkallëzimi i sotëm tejkalon çdo lloj krimi. 
Sot besimtarët myslimanë, pas iftarit, agjërimit dhe iftarit, Zoti jua pranoftë, janë kthyer në xhami, janë kthyer në xhami për të falur namazin, për të vazhduar lutjen ndaj të gjithëfuqishmit, ndaj Allahut të madh. 
Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga asnjë lloj përballje, forcat e kryengritësve të armatosur devijuan në rrugën tjetër, në krah të kundërt. Por kjo nuk mjaftoi. 
Banditë me uniformë, që i kemi filmuar dhe do t'jua çojmë dhe ju të gjitha videot, kanë hedhur bomba tymuese dhe bombola gazi në katër të ndryshme të xhamisë në një kohë kur besimtarët po faleshin. E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. 
Zoti i vraftë për këtë, për këtë krim të shëmtuar, për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të denjë të etërve të tyre barbarë. Edhe njëherë, u bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj se protesta jonë, kryengritja jonë paqësore nuk do të ndalet, por do bëj gjithçka që në territorin, në afërsi të përjashtojë çdo veprim, çdo ballafaqim, çdo kacafytje me kundërshtarin, vetëm e vetëm që ata të mos mund t'ju prishin namazin. Sot i kanë nxjerrë, i kanë nxjerrë me gaz nga xhamia dhe ne i kemi të filmuar. 
Ndërkohë, sikur të ishin terroristë me uniformë, kanë dalë dhe mbledhin qytetarë të pafajshëm, pa asnjë lidhje me protestën dhe po mbushin komisariatet. 
I paralajmëroj Edi Ramën, Ilirjan Prodën, Shahini e Gysit, dhe Sokol Bizhgën se do përgjigjen rëndë për çdo cenim të qytetarëve, të protestuesve paqësorë, do marrin ndëshkimin e merituar. 
U them para jush, o të mjerë, koha juaj ka marrë fund. Tani është koha e qytetarëve, e guximit qytetar, e përgjegjësisë qytetare. Unë e di se ju, si luftëtarë të paepur, prisni me padurim krye aktin e radhës të kryengritjes sonë paqësore. 
Do t'jua njoftojmë shumë shpejt. Do të jetë kombëtar. Do të jetë më i fuqishmi që ka njohur Shqipëria. Edhe një herë, mirënjohje të pakufijshme, përgëzime, guximtarë, që mposhtet në sheshet dhe rrugët e Tiranës të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës", tha ai.. 

Ora 21:28 - 7 të arrestuar, kapen me çanta me molotov

Të paktën 7 protestues janë vënë në pranga deri tani për protestën e 20 shkurtit. Sipas policisë, arrestimet janë kryer pasi ata janë kapur me çanta të mbushura me molotov. Deri tani ende nuk kemi një numër zyrtar të personave të shoqëruar në komisariat, po ashtu nuk ka një numër të personave të lënduar.

Ora 21.25- Reagon Partia Demokratike: Policia përdori plumba gome, sulmuan selinë e PD

Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate për shtyp se policia ka përdorur plumba gome duke plagosur protestues dhe se ka sulmuar selinë e Partisë Demokratike. 

Deklaratë e Partisë DemokratikeShqipërisë

Sasi të mëdha gazi lotsjellës janë hedhur në oborrin, mjediset dhe deri te zyrat e drejtuesve të Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës, pak minuta pas protestës kombëtare të 20 shkurtit, e organizuar në bashkëpunim me një grup intelektualësh të pavarur, nën siglën e Forumit të Dialogut Qytetar, në përkujtim të rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha dhe revoltës për skandalet korruptive të qeverisë Rama.

Forcat e Policisë kanë sulmuar selinë e forcës kryesore të opozitës pas një proteste paqësore, e disata në dy muajt e fundit, duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur.

Gazi lotsjellës ka ndikuar dhe ndërprerë dhe faljen e besimtarëve myslimanë të cilët janë në ditën e të tretë të muajit të Ramazanit. 

Raportohen disa të plagosur në anën e protestuesve, një akt i paralajmëruar nga deklarata e policisë sot, e cila shmangu përgjegjësinë duke thënë se nuk e garantonte protestën e sotme, duke shpërfillur kështu një prerogativë kushtetuese.

Partia Demokratike dënon me forcë dhunën e përdorur nga narkopolicia, plagosjet me plumba gome, përdorimin e gazit lotsjellës dhe mosrepektimin e së drejtës kushteteuse për protestë.

Partia Demokratike mban përgjegjës direkt drejtorin e Policisë të lidhur me bandat kriminale, ministren e Brendshme dhe Kryeministrin Rama, urdhri i të cilit qëndron pas kësaj dhune të pashembullt policore dhe politike. 

Ora 21:15 - “U hodh gaz lotsjellës në xhami”, Bardhi: Akt i rëndë dhe i papranueshëm

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër, duke pretenduar për hedhje gazi lotsjellës nga policia në xhami. Ai e cilëson këtë si “akt të rëndë dhe të papranueshëm”.

Në deklaratën e tij, Bardhi theksoi se përdorimi i gazit në një ambient kulti, në një moment kur sipas tij nuk kishte protestues, përbën cenim të hapur të lirisë së besimit dhe një përpjekje për të penguar besimtarët myslimanë në kryerjen e riteve pas iftarit.

Ai e krahasoi ngjarjen me “praktika të një regjimi represiv”, duke shtuar se veprime të tilla bien ndesh me standardet demokratike. Bardhi kujtoi gjithashtu simbolikën e 35-vjetorit nga rrëzimi i bustit të diktatorit, duke deklaruar se “frika dhe dhuna nuk do të lejohen të ngrihen sërish”.

Ora 21.07 - Rindizet situata, protestuesit gjuajnë me sërish me molotov

Teksa protesta duket sikur zbehet, një numër i vogël i protestuesve vijon të qëndrojë pranë Parlamentit, dhe herë pas here hedhin molotov ndaj policisë. Policia sakaq është pozicionuar me makinat me ujë me presion në urën e Elbasanit. Teksa molotovëve i përgjigjet me gazin lotsjellës.

Ora 21:00 - Besimtarët tentojnë të largohen nga xhamia, ndërsa vijon “lufta” me molotovë e gaz lotjsllës

Prej më shumë se 90 minutash, Tirana është nën pushtetin e flakëve të molotovëve e gazi lotsjellës. Pas tensioneve të nisura te Kryeministria, tashmë situata është zhvendosur urën e rrugës së Elbasanit, aty ku prej minutash të tëra vijojnë përplasjet mes policisë dhe protestuesve. Ndërkohë, vetëm pak metra larg ndodhet xhamia, ku shumë besimtarë myslimanë kishin mbetur të bllokuar dhe tashmë po tentojnë të largohen.

Ora 20:50 - Disa të lënduar transportohen në spital

Ndërsa vijojnë molotovët dhe gazilotsjellës, disa protestues janë transportuar në spital pasi kanë humbur ndjenjat gjatë protestës. Ende nuk ka një numër të saktë për personat e lënduar gjatë kësaj protestë.

Ora 20.33- Berisha: Protesta nuk mbyllet këtu

Pasi u hodh ujë nga autobotet mbi kreun e PD-së, Sali Berisha tha se po tejkalojnë çdo vijë të kuqe duke u shprehur se protesta nuk mbyllet. 

"Këta që qëllojnë mbi protestuesit paqësorë do të përballen me ndëshkimin e merituar. Këta po tejkalojnë çdo vijë të kuqe dhe i garantoj se do marrin ndëshkim shembullor për këto qëndrime që mbajnë...

Zoti Berisha, do të vazhdojë protesta, apo mbyllet këtu?
Sali Berisha: Jo, nuk mbyllet këtu protesta.

Po si do vazhdojë?
Sali Berisha: Vazhdon protesta. Do vazhdojë dhe të jeni të sigurt se kjo protestë shënon një stad krejt tjetër të protestave tona.
Ju e shihni se çfarë vullneti i hekurt është, dhe këta që kanë bërë këto veprime, këta që gjuajnë protestuesit, këta do përballen me ndëshkimin e merituar.

Ora 20.25 - Molotovë dhe gaz lotsjellës, vijojnë tensionet mes protestuesve dhe policisë

Protestuesit tek Parlamenti vijojnë të hedhin molotovë, teksa policia i është përgjigjur me gaz lotsjellës për t'i shpërndarë. Situata përshkallëzohet herë pas here mes efektivëve dhe protestuesve. Sheshi para parlamentit është boshatisur tashmë, teksa është nën mjegullën e krijuar nga gazi lotsjellës.

Ora 20:15 - “Protestat do të radikalizohen!” Këlliçi: E paprecedentë janë hedhur bombola gazi helmuese brenda në xhami

“E paprecedentë janë hedhur bombola gazi helmuese brenda në xhami. Ilir Proda është i shqetësuar për protestën e qytetarëve, por ata janë pjesë e karteleve. Këtu nuk po ndodh asgjë dhe këtu hidhet gaz lotsjellës në mënyrë të paprecedentë. Nuk ka ndodhur kjo. Hidhen edhe nga lartë bombola gazi. Policia po tenton që të mos lejojë tubimin. Unë them që Ilir Proda është bandit kjo nuk do të thotë që të gjithë janë ashtu, ka edhe policë të ndershëm që na kanë njoftuar se do të kishte masa krejtësisht joproporcionale. Do të radikalizohen protestat. Do ti përgjigjemi me të njëjtën gjuhë dhunës së Edi Ramës”, tha Këlliçi.

Ora 20.05- Tensionohet situata te Parlamenti/ Protestuesit me zjarr, policia me ujë dhe gaz

Tensionohet situata edhe tek Parlamenti teksa protestuesit kanë përdorur sërish molotovë ndaj forcave të policisë, teksa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Ora 19.50- Berisha bashkë me protestuesit: Edi Rama është i pashpresë

Ndryshe nga herët e tjera, kur kreu i PD Sali Berisha i priste në seli protestuesit pa hedhjes së molotovëve para kryeministrisë, ai ka qëndruar me ta. 

Teksa ecte bashkë me protestuesit drejt sallës së seancave plenare ai tha se mesazhi është i qartë "Edi Rama është i pashpresë.

"Planin ndiqeni dhe raportojeni për qytetarët, se ju e patë se si Tirana dhe Shqipëria ishte derdhur njëlloj si në 20 shkurt 1991. Edi Rama është i pashpresë. Mesazhi është: Edi Rama është i pashpresë.", tha Berisha.

Ora 19:43 - Ministrja Koçiu apel opozitës: Mbani të miturit larg dhunës, ajo nuk është zgjidhje

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar në rrjetet sociale, për situatën e krijuar gjatë protestës së opozitës te Kryeministria.

Ministrja i bën thirrje drejtuesve të opozitës që të qëndrojnë larg akteve të dhunës dhe të mos përdoren të miturit për akte dhune.

“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës.

U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve.

Dhuna nuk është zgjidhje!

Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve.

Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”, shkroi ministrja.

Ora 19.39 - Berisha largohet nga protesta pas hedhjes së molotovit, protestuesit shkojnë drejt Kuvendit

Pas mbarimit të fjalës së tij kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është larguar nga protesta, ndërkohë që protestuesit hodhën fishekëzjarrë dhe molotovë ndaj kryeministrisë. Policia reagoi menjëherë me hedhjen e ujit me presion, teksa protestuesit zhvendosen drejt sallës së seancave plenare.  Aktualisht, nuk raportohen efektive apo protestues te plagosur.
 

Ora 19:30 - Tensionohet situata, molotv dhe fishekzjarrë ndaj Kryeministrisë, policia përgjigjet me ujë me presion

Është përsëritur skenari i dy protestave të mëparshme kombëtare të opozitës. Menjëherë pas fjalës së Sali Berishës, në drejtim të godinës së kryeministrisë kanë nisur të hidhen molotov e fishekzjarrë. Këtë herë, forcat e rendit kanë reaguar menjëherë duke përdorur ujë me presion ndaj protestuesve.

Ora 19.28- Berisha në protestë: Vjedhja e qytetarëve do shpallet krim i rëndë!

Gjatë fjalës së tij para protestuesve kreu i PD-së Sali Berisha paralajmëroi qeverinë se vjedhjen e qytetarëve do ta shpallë krim të rëndë.

"Dhe në qofte se në vitin 2005 ne rendëm pas Aldo Bareve dhe të tjerëve, Aldo Baret sot janë Edi Rama, Lubi Balluku, ministrat e tij, kurse kartelet e drogës, Elvis Doçi, Suel Çela janë thjesht ushtarët e tyre. Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit. Miqtë e mi, Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen. Miq, drejtorë dhe të tjerë braktisin Shqipërinë me shpresën se do mund të shpëtojnë. As ju, as Lubia, as Edi Rama, vrimë miu nuk do gjeni", tha ai më tej.

Foto: Partia Demokratike

Ora 19:18 -Berisha: Sot nderojmë 20 shkurtin me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama i ka kohërat e numëruara

Sali Berisha ka nderuar 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, për tu zotuar se edhe Edi Rama i ka kohërat e numëruara. 

"Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit. Do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij. 35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitrolozët, për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do u rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën. E vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara", tha ai.

Foto: Partia Demokratike

Ora 19:30 - Jorida Tabaku: Jemi përballë një autokrati të rilindur
 
“Rrëzimi i monumentit të diktatorit ishte çasti i kthesës së madhe për ne, ishte fundi i një horrorri e diktature të pamëshirshme. Ky ishte triumf. Të gjithë diktatorët dhe autokratët bien. Të gjitha monumentet e tyre rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë. Drita e gjen rrugën e saj gjithnjë. Liria triumfon gjithmonë, edhe në errësirën e diktaturës. Sot jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës zëvendësohet sot me dhunën e korrupsionit, diktaturën e korrupsionit. Është ideologjia e regjimit sot që ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve dhe ofron mundësi për krimin. Industria dhe bujqësia janë në falimentim. Çdo i varfër e pensionist e di të vërtetën. Sot të korruptuarit bëjnë ligje që të mbrojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve. Familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, shtresa e mesme po shtypet, taksat po shtohen, ndërsa ata lart ushqehen me privilegje që nuk u kthehen qytetarëve”, tha Tabaku.

Ora 18.49 - Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Bulku: Atë frymë protestash ta sjellim dhe sot

Fjalimin e parë të kësaj proteste kombëtare e mbajti aktorja, ish deputetja e PD dhe protagoniste në ndryshimin e sistemit, Rajmonda Bulku. Në fjalën e saj ajo kujtoi 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ku tha se ajo frymë duhet të jetë edhe sot.

"Deshëm të rrëzonim sistemi më të egër komunist që kishte zaptuar lirinë tonë për shumë e shumë vite. Dua të kujtoj atë frymë e të sjellim këtu sot atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur që na ka falur perëndia, por ta bëjmë për jetët tona, fëmijët tanë, nipërit tanë, të kenë mundësi të jetojnë më mirë se u takon në vendin e tyre të bukur, të punësohen këtu e të mos ikin, të mos braktisin këtë vend të bekuar", tha ajo.

Foto: Partia Demokratike

Ora 18.28 - Mblidhen protestuesit, Berisha niset nga selia

Protestuesit vijojnë të mblidhen para kryeministrisë teksa pritet të arrijë lideri i demokratëve Sali Berisha. Si gjithmonë ai niset nga selia e PD në këmbë drejt kryeministrisë. 
Kreu demokrat, Sali Berisha, i shoqëruar nga simpatizantët e PD, ka dalë nga selia e partisë dhe ka ecur në këmbë deri para godinës së kryeministrisë, aty ku është vendosur edhe podiumi kryesor i protestës kombëtare të opozitës.

Foto nga protesta

Ora 18:21 - Këlliçi: Qytetarët s’mund të protestojnë me lule

Pak para nisjes së protestës kombëtare të opozitës, deputeti Belind Këlliçi u shfaq në shesh, duke deklaruar se do të jetë “në rresht të parë”, ashtu siç kishte premtuar. Ai e cilësoi protestën si mjetin e vetëm për t’i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë qeverisë.

Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron “vartës të korruptuar”, duke përmendur konkretisht zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas tij, çështja Balluku nuk lidhet vetëm me një individ, por me përgjegjësinë politike në nivelet më të larta. “Qytetarët s’mund të protestojnë me lule”, u shpreh ai, duke nënvizuar tonin e ashpër të reagimit opozitar.

Ai shtoi se ka përgëzuar prokurorin e çështjes për veprimet hetimore, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve të raportuara. “Aty ku drejtësia vepron, nuk ka rëndësi kush është personi i hetuar, e rëndësishme është të bëhet detyra”, deklaroi Këlliçi.

Ora 17.48- Tupana për Ramazan në protestën e Partisë Demokratike

Teksa protesta nuk kishte nisur ende, protestuesit kanë respektuar muajin e shenjtë të Ramazanit. Në podium është ngjitur një person që i bie tupanit, për të respektuar orën e iftarit.

Foto nga protesta

Ora 17.50- Protesta e PD, Adriatik Lapaj zhvendoset nga kryeministria

Adriatik Lapaj i cili prej 8 dhjetorit qëndron para kryeministrisë për të protestuar ndaj sistemit, është zhvendosur për ti hapur hapësirën protestës së Partisë Demokratike. 

Lapaj dhe mbështetësit e tij kanë kaluar në anën tjetër të Bulevardit, duke mos u bashkuar me protestën kombëtare të Partisë Demokratike. 

Ora 17.45 - Protestuesit nisin të mblidhen para Kryeministrisë

Protestuesit e Partisë Demokratike kanë nisur të mblidhen para selisë së kryeministrisë në protestën e radhës kombëtare të opozitës. 

Ashtu si dhe në protestat e tjera pritet i njëjti skenar, ku pas kryeministrisë protestuesit do të zhvendoset drejt godinës së seancave plenare. Por ndryshe nga protestat e tjera, policia e shtetit nuk ka siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Në prag të protestës së paralajmëruar për mbrëmjen e sotme, kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në orën 18:00.

Berisha e cilësoi 20 shkurtin si “ditën e rrëzimit të diktatorëve” dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor ligjin si mburojë për të vjedhur qytetarët. Ai apeloi që të gjithë mbështetësit dhe qytetarët t’i bashkohen tubimit të sotëm në shesh.

Ora 17.00 - Thirrja e fundit e Berishës para protestës: Të gjithë në shesh në ditën e rrëzimit të diktatorit

Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të zbresin sot në shesh për protestën e radhës kombëtare, me kërkesa të qarta për largimin e kryeministrit Edi Rama, hapjen e rrugës për arrestimin e Belinda Ballukut dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje me një qeveri teknike.

Protesta e sotme përkon edhe me ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe në deklaratat për media gjatë kësaj jave, kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar se edhe kryeministri Rama do të ketë fat të ngjashëm.

Në lidhje me tubimin, Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk do të marrë përsipër zhvillimin e tij, duke argumentuar se në protestën e 10 shkurtit pati grupe zjarri, të maskuar që sulmuan efektivët e vendosur në kordon për të ruajtur institucionet, me molotov.

Sipas tyre bazuar në nivelin e riskut dhe informacionet se protesta e kësaj të premteje do të jetë e dhunshme, policia nuk mund të marrë përsipër tubimin.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë. Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, bëhet me dije në njoftim.

Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi, ndaj njofton se do të bllokohet qarkullimi i mjeteve në disa rrugë.

“Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht: Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, sqaron policia.

Ndërkohë u bëhet thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)