Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të zbresin sot në shesh për protestën e radhës kombëtare, me kërkesa të qarta për largimin e kryeministrit Edi Rama, hapjen e rrugës për arrestimin e Belinda Ballukut dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje me një qeveri teknike.
Protesta e sotme përkon edhe me ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe në deklaratat për media gjatë kësaj jave, kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar se edhe kryeministri Rama do të ketë fat të ngjashëm.
Në lidhje me tubimin, Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk do të marrë përsipër zhvillimin e tij, duke argumentuar se në protestën e 10 shkurtit pati grupe zjarri, të maskuar që sulmuan efektivët e vendosur në kordon për të ruajtur institucionet, me molotov.
Sipas tyre bazuar në nivelin e riskut dhe informacionet se protesta e kësaj të premteje do të jetë e dhunshme, policia nuk mund të marrë përsipër tubimin.
“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë. Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, bëhet me dije në njoftim.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi, ndaj njofton se do të bllokohet qarkullimi i mjeteve në disa rrugë.
“Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht: Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, sqaron policia.
Ndërkohë u bëhet thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)