Policia nuk merr përsipër protestën, Berisha: Provokim i rëndë, sot përmbysim regjimin e Edi Ramës!

Policia ka njoftuar se nuk e ka marrë përsipër zhvillimin e protestës së opozitës, që nis në orën 18:00 para Kryeministrisë. Këtë vendim, kryedemokrati Berisha e ka konsideruar një provokim të rëndë, ndërsa tha se protestat e opozitës kanë qenë paqësore.

20.02.2026. 13:33

Policia nuk merr përsipër protestën, Berisha: Provokim i rëndë, sot përmbysim regjimin e Edi Ramës!

Provokim të rëndë e ka cilësuar Sali Berisha refuzimin e Policisë së Shtetit për të marrë përsipër zhvillimin e protestës kombëtare të PD, e cila është parashikuar të nisë në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.

Kur na ndajnë më pak se pesë orë nga nisja e tubimit, kreu i PD doli në një konferencë për mediat, ku mbrojti tre protestat e mëparshme duke thënë se kanë qenë paqësore dhe këmbënguli se e tillë do të jetë edhe e sotmja, edhe pse policia pretendon se ka informacione se do të ketë akte dhune në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Narko-policia të kryejë detyrat se zyrtarët po arratisen, po ia mbathin si minjtë. Sa i përket asaj që thonë ata, protesta është paqësore. Ne organizojmë vetëm protesta paqësore. E kemi platformë këtë. Ky është një akt provokacioni i rëndë i tyre që s’ka asnjë impresion. Opozita do vazhdojë deri në fitore të plotë dhe minjtë që po ikin do të kapen kudo që të jenë. Nuk ka patur eksponentë të PD-së që kanë hedhur molotov. Jemi opozitë demokratike. Nuk kemi banditë si Proda dhe Bizhga. Ne do të vijojmë deri në fitore të plotë. Do t’i shihni aty risitë e protestës, e kanë në duar qytetarët”, deklaroi Berisha nga selia blu.

Sa i përket lëndimit të efektivëve të policisë me molotovë nga grupe të rinjsh që policia dhe ministrja e Brendshme pretendon se PD po i përdor në protesta, Berisha i cilësoi skenat me efektivë të lënduar në spitalet e Tiranës si inskenime.

“Kjo do të thotë se do të kalben në burg për këtë largim që bëjnë. Skenari është atje. Molotovët nuk i organizon PD. Nëse shihni inskenimet që i përgatisin dhe i japin me foto. Nuk i ha kush. Në protestën e fundit ishte policia që hodhi molotov drejt protestuesve”, nënvizoi ai.

Duke e lidhur protestën e sotme me simbolikën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Sali Berisha tha se sot do të shënohet fundi i regjimit të mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.

“Sot është dita e historisë, jo vetëm e 20 shkurtit të vitit 1991, por po kaq e 20 shkurtit të vitit 2026. 20 shkurti i vitit 1991 solli pranverën e demokracisë. Solli çlirimin e Shqipërisë nga kulti më mizor që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre. 20 shkurti i vitit 2026 do të sjellë pranverën e re, do të sjellë përmbysjen e hajdutit më të keq, më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre", tha kreu i PD.

Në vijim Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që t'i bashkohen sot protestës, për të realizuar një nga tubimet më domethënës, që nga viti 1991.

"Ndaj dhe jam këtu për të ftuar çdo qytetar shqiptar, çdo opozitar, qytetarë të të gjitha bindjeve, të të gjitha besimeve, pavarësisht se çfarë mendimesh, opinionesh, kritikash, pakënaqësirash, objeksionesh që mund të kemi për njëri-tjetrin, të bashkohemi të gjithë kundër kësaj të keqe që po shteron lëndën tonë kombëtare, kombin tonë, po shkatërron Shqipërinë. Sot është një ditë që çdo qytetar të shprehë zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit, e guximit, e misionit. Ndaj dhe edhe njëherë, ftesa ime për mbarë shqiptarët, në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, të bashkohemi për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes tonë”, u shpreh Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)