Policia nuk merr përsipër protestën e PD, Koçiu: Do garantojnë rendin, por nuk aprovojmë dhunën, mos përdorni të miturit

Në një konferencë për mediat ministrja e Brendshme, Albana Koçiu sqaroi njoftimin e policisë, e cila refuzoi të marrë përsipër zhvillimin e protestës së PD. Koçiu tha se policia e ka për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë, por nuk aprovon një protestë të tillë.

20.02.2026. 13:12

Policia nuk merr përsipër protestën e PD, Koçiu: Do garantojnë rendin, por nuk aprovojmë dhunën, mos përdorni të miturit

Policia ka refuzuar të marrë përsipër mbarëvajtjen e protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, pas tre tubimeve radhazi të dhunshme, ku efektivët janë sulmuar me molotov dhe lëndë piroteknike, duke lënë të plagosur disa prej tyre.

Me argumentin se në protestën e 10 shkurtit u sulmuan drejtpërdrejt efektivët dhe informacionin e siguruar se do të ketë akte dhune, policia i ka kthyer përgjigje negative kërkesës për leje për protestë të PD që mban firmën e Klevis Balliut.

Për situatën e krijuar ka folur në një konferencë për mediat, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila tha se Uniformat Blu do të garantojnë sigurinë, por nuk e aprovojnë kryerjen e tubimit.

“Policia e shtetit është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, e ka detyrë funksionale ta kryejë në çdo rast. Nuk ka dhënë leje për ushtrimin e protestës. Nëse është vënë në dijeni, i ka kthyer përgjigje duke thënë që nuk merr përsipër për të siguruar protestën. E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Këtë ka dashur të thotë policia. Do të jetë aty të garantojë sigurinë, por nuk jep aprovime për kryerje të një proteste të tillë. Policia e shtetit nuk jep aprovim për atë që do të kryhet, nga ana tjetër do të kryejë detyrat e saj funksionale. Do të jetë aty si çdo ditë për të garantuar rendin dhe sigurinë, ama nuk jep aprovim për t’u kryer një protestë e cila 2 herët e fundit ka qenë me dhunë, dhe ende bëhet thirrje për të ardhur dhe për t'u mbledhur në protestë të dhunshme”, tha Koçiu për mediat.

Duke qenë se në protestën e 10 shkurtit u lënduan nga hedhja e molotovit dhe flakët 16 policë, ministrja e Brendshme sqaroi se të gjithë ata që kryejnë akte dhune dhe sulmojnë institucionet do të përballen me drejtësinë!

“Kush është përgjegjës? Si të jetë një protestë me leje apo leje, kushdo që kryen veprim i cili dënohet penalisht, bën klasifikimin e veprës, në varësi të çfarë veprimi kryen. Kjo nuk ndikon në faktin që nëse kemi një protestë me leje, apo pa leje, kushdo që kryen veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi”, deklaroi Koçiu.

Ndërkohë, Koçiu kërkoi që nga demokratët të shmanget përdorimi i të miturve për të sulmuar me molotov forcat e rendit, siç ka ndodhur në dy protestat e kaluara. Sipas ministre së Brendshme ky është një akt i turpshëm.

“Çdo akt dhune është i dënueshëm. Nga çdo akt dhune do duhet të distancohemi, u bëj thirrje të distancohen. Uroj të kemi protestë paqësore, të mos kemi akte të turpshme, uroj mos të kemi dhunë ndaj policisë e hedhje të bombave molotovë, gura e fishekzjarre. Nuk është kjo mënyra, jemi për protestë paqësore, po jo protesta të dhunshme. Të shmangni përdorimin e të miturve. Organizatorët duhet te distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja me poshtër, shfrytëzimi i të miturve në protesta”, tha ministrja.

“Nuk dua të komentoj vendime gjykatash, s’më takon mua t’i komentoj”, u shpreh sakaq Koçiu kur u pyet për lirimin nga gjykata të protestuesve të arrestuar për tubimet e mëparshme të PD.

Në përfundim Koçiu bëri me dije se ka urdhëruar Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të hetuar përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar në protestat e Partisë Demokratike.  “Këtë shqetësim e kam ndjekur kam urdhëruar të kryet një hetim nga policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Hetimet po vazhdojnë do të dalim në konkluzion. Nëse është i dëmshëm ose jo, këtë nuk di të ta them.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)