Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin e tij të fundjavës “Flasim” se projekti për rijetëzimin e zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe dezinformime, ndonëse sipas tij bëhet fjalë për një ndërhyrje strategjike për të ardhmen e qytetit dhe për pozicionimin e Shqipërisë si destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Rama theksoi se Zona Arkeologjike A, ku do të zbatohet projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane, por pjesë e thesarit të trashëgimisë kombëtare dhe botërore.
Sipas tij, synimi për përfshirjen e zonës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO e shndërron projektin në një detyrim që tejkalon kufijtë kombëtarë.
Kreu i qeverisë nënvizoi se iniciativa bazohet në një program të hershëm dhe në Planin e Menaxhimit të Integruar të hartuar nga Ministria e Kulturës dhe të hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ai shtoi se ligji për Trashëgiminë Kulturore e obligon shtetin të ndërhyjë për të parandaluar degradimin dhe ndërtimet informale në zonat e mbrojtura.
“Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë”, u shpreh Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)