Shkarkimi nga detyra si ministre e Jashtme, Spiropali: Pozicionet janë kalimtare, Shqipëria më e rëndësishme se çdo rol

Një ditë pas shkarkimit nga detyra si ministre e Jashtme, Elisa Spiropali ka shprehur qëndrimin e saj për vendimin e marrë në mbledhjen e Grupit të PS, duke thënë se pozicionet janë kalimtare dhe se i rëndësishëm është rrugëtimi dhe gjurmët e lëna në ushtrimin e detyrës.

27.02.2026. 15:36

Shkarkimi nga detyra si ministre e Jashtme, Spiropali: Pozicionet janë kalimtare, Shqipëria më e rëndësishme se çdo rol

Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas largimit nga detyra si ministre e Jashtme, duke e cilësuar shkarkimin që kryeministri Edi Rama e komunikoi mbrëmjen e djeshme, si mbyllje të një funksioni, por jo të angazhimit të saj publik.

“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen”, shkruan Spiropali.

Ajo thekson se politika është një fushë ku “koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë”, duke nënvizuar se ajo që mbetet nuk është posti i mbajtur, por mënyra si është ushtruar ai dhe pesha e dhënë fjalës dhe qëndrimit personal.

Spiropali e lidh shërbimin e saj me orientimin perëndimor të Shqipërisë, nga anëtarësimi në NATO deri te rrugëtimi drejt Bashkimi Europian, duke theksuar se detyra e saj “nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik”.

Në mesazhin e saj, ajo shpreh mirënjohje ndaj Partisë Socialiste për besimin e dhënë ndër vite dhe shton se “pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme”.

Në përfundim, Spiropali thekson se për të, mbyllja e një detyre nuk përbën tërheqje, por vazhdim të angazhimit me të njëjtën bindje dhe përgjegjësi.

“Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave. Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi”, shkruan ish-ministrja e Jashtme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)