Me një betejë të fituar, nis protesta e demokratëve para Kryeministrisë

Mbahet protesta e radhës e opozitës përpara Kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë Rama. Sipas organizatorëve, protesta e sotme nuk do të ketë folës.

28.02.2026. 17:05

Me një betejë të fituar, nis protesta e demokratëve para Kryeministrisë

Me një betejë tashmë të fituar, atë të largimit të zv.kryeministres Belinda Balluku, opozita rikthehet edhe njëherë në sheshin përpara kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe zgjedhje të parakohshme.

Me një format që është paralajmëruar të jetë ndryshe, protesta e opozitës nuk do të ketë folës ditën e sotme, dhe është ende surprizë sesi ajo do të zhvillohet.

Policia e Tiranës edhe njëherë nuk mori përsipër organizimin e këtij tubimi, megjithatë në terren do të jenë më shumë se 1300 efektivë.

Godina e Kryeministrisë, si çdo herë është blinduar me derë e dritare hekuri, teksa kordonë sigurie janë vendosur përpara saj.

Sipas burimeve, mbështetësit e opozitës do të grumbullohen vetëm në sheshin përpara kryeministrisë dhe nuk do të ketë një zhvendosje drejt Parlamentit, duke qenë se në orët e pasdites besimtarët myslimanë kryejnë ritet e tyre në Xhami për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në një prononcim disa orë përpara protestës, kryedemokrati Sali Berisha ftoi qytetarët që të bashkohen në këtë manifestim, për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës, të cilin ai e cilësoi si të kalbur.

Sipas Berishës tashmë ka ikur koha e fjalëve dhe duhet vetëm reagim.

Kujtojmë që kjo është protesta e katërt kombëtare e opozitës për këtë vit për të kërkuar largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Protestat e mëparshme janë shoqëruar me akte dhune, ku mbështetësit e opozitës kanë hedhur bomba molotovë dhe sende të forta drejt kryeministrisë dhe parlamentit, teksa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

18:30 Sali Berisha nis marshimin drejt kryeministrisë, nis protesta e opozitës

Me 30 minuta vonesë ka startuar dhe protesta e radhës e Partisë Demokratike. Kreu i kësaj partie Sali Berisha ka dalë nga selia për t’iu bashkuar protestuesve në bulevard. Ai shoqërohet nga një numër i madh mbështetësish dhe deputetësh. Protesta e opozitës pritet që të ketë një skenar ndryshe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)