Prej një jave rajoni juglindor i vendit vijon të mbetet i bllokuar, pas shembjes prej rrëshqitjes së dheut të aksit rrugor Librazhd-Pogradec, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës.
Edhe pse ndërtimi i një rruge alternative është premtuar nga grupi i punës që është ngritur për rastin, sipas kreut të ARRSH-së, Ami Kozeli, vetëm të hënën do të mund të përcaktohen afatet e punimeve për ndërtimin e saj.
“Punimet po ecin mjaft mirë. Po punohet me orare të pandërprera 24 orë. Ka një mobilizim total në mjete. Ndodh vazhdimisht evadimi, largimi i masave nga trupi rrëshqitës, kjo për ta çuar skarpatin drejt një ekuilibri natyral të saj. Por ndërkohë paralelisht edhe për t’i hapur vend shpimeve të sondave. Shërbimi gjeologjik ka përcaktuar 4 pika në pjesën e sipërme. Një sapo përfundoi pak më parë, e dyta do të zhvillohet sot. Ndërkohë që eskavatori po hap vendin për shpimin e saj, ndërkohë që dy të tjerat do të bëhen ditën e nesërme. Ka përfunduar mbrojtja lumore, pra devijimi i trupit lumor që të mos godasë pjesën e skarpatës në hekurudhën shqiptare. Ka një mobilizim total edhe nga ana e kontraktorëve, autoritetit, edhe e Hekurudhës Shqiptare, Shërbimit Gjeologjik. Ndërkohë pak më parë ishin edhe dy pjesëtar të universitetit Politeknik të Tiranës dhe të Institutit të Inxhinierisë, sepse ne po këshillohemi vazhdimisht me ta. Projektuesi ishte në terren bashkë me ne, me të cilin u këshilluam lidhur me propozimet që ai ka sjellë. Sepse ditën e djeshme solli 3 propozimet. Ne u mblodhëm sot në mëngjes para se të niseshim për inspektim. Besoj se ditën e hënë jemi në gjendje, sepse duhet ta vlerësojmë, ai ka sjellë propozimet e tij lidhur me trajektoren, ndërkohë që ne duhet të vlerësojmë nga ana jonë volumet e punës. Sepse këto janë edhe ato që përcaktojnë edhe afatet. Ne si autoritet besojmë se të hënën jemi në gjendje për të përcaktuar afatet e punës, përsa i takon rrugës alternative në trupin lumor, në krah të hekurudhës shqiptare”, deklaroi Kozeli.
Teksa inpspektoi ditën e sotme punimet për pastrimin e trupit të rrugës së vjetër që e mori lumi dhe marrjen e kampionëve gjeologjikë, Kozeli tha për mediat se gjurma e Korridorit VIII nuk do të ndryshojë dhe do të vijojë ndërtimi i trasesë po në të njëjtin vend.
“Për punimet e Korridorit VIII gjurma nuk ndryshon. Absolutisht është kjo që jemi këtu, Korridori VIII nuk ndryshon. Kur të përfundojnë të gjitha punimet këtu, do jetë e nevojshme për të bërë edhe një mbledhje për të nxjerrë mësimet nga kjo. Ne do të mblidhemi me të gjitha aktorët apo institucionet që kemi qenë në konsultim gjatë kësaj periudhe”, sqaroi Kozeli.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)