Prej gjashtë ditësh, një nga arteriet kryesore që lidh juglindjen e vendit me Tiranën vijon të mbetet e bllokuar, duke krijuar një situatë të paprecedentë për qarkullimin dhe ekonominë e zonës. Rrëshqitja masive e dherave në aksin Librazhd-Pogradec ka prekur jo vetëm rrugën ekzistuese, por edhe segmentin e ri të Korridorit VIII, duke vënë në pikëpyetje ecurinë e projektit strategjik.
Në terren, mjetet e rënda të kompanisë kontraktuese po punojnë pa ndërprerje për largimin e tonelatave të dherave, pikërisht në zonën ku ishte ndërtuar platforma e re e Korridorit 8. Paralelisht, inxhinierë dhe gjeologë po kryejnë matje dhe shpime për të analizuar shtresat e nëntokës dhe për të vlerësuar stabilitetin e terrenit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se, pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Sipas zyrtarëve, edhe pse shembja ka ndodhur jashtë gjurmës së projektit, lëvizja e masivit ka prekur trupin e rrugës në ndërtim, duke e bërë të domosdoshëm një studim të thelluar. Nëse Shërbimi Gjeologjik Shqiptar konstaton rrezik të lartë, mund të kërkohet ndryshimi i gjurmës së rrugës në segmentin e dëmtuar, çka do të sillte kosto shtesë, por me prioritet sigurinë.
Ndërkohë, ARRSH ka vendosur ndërtimin e një rruge provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit. Kreu i ARRSH, Ami Kozeli, deklaroi se në zonë po operojnë 9 eskavatorë dhe 22 kamionë, ndërsa është përfunduar devijimi i shtratit të lumit dhe ndërhyrja në shtyllën elektrike të dëmtuar. Projekti i rrugës alternative pritet të dorëzohet brenda 2-3 ditëve. Ende nuk ka një afat për rihapjen e plotë të aksit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)