PD i kërkon Kuvendit t'i hapë rrugë arrestimit të Ballukut, Bardhi: Rrezikon 35 vite burg, po kërcënon dëshmitarët!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita është pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë, duke theksuar se deputetja rrezikon deri në 35 vite burg.

02.03.2026. 14:55

PD i kërkon Kuvendit t'i hapë rrugë arrestimit të Ballukut, Bardhi: Rrezikon 35 vite burg, po kërcënon dëshmitarët!

Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Imunitetit dhe të Mandateve i kanë rekomanduar Kuvendit të votojë pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke i hapur rrugë arrestimit të saj.

Në deklaratën e tyre, ata theksojnë se, bazuar në standardet e Komisionit të Venecias, Kuvendi nuk mund të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes, pasi një veprim i tillë do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor.

Sipas tyre, argumentet se “masat e marra deri më tani për Ballukun janë të mjaftueshme” nuk mund të shqyrtohen nga Parlamenti, pasi kjo është ekskluzivisht përgjegjësi e organeve të drejtësisë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita është pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë, duke theksuar se deputetja rrezikon deri në 35 vite burg.

“Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se, sipas prokurorisë, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit është i konsiderueshëm. Më tej, Bardhi pretendoi se gjatë muajve të fundit deputetja ka tentuar të pengojë hetimet.

“Sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj”, deklaroi ai.

Në vijim, ai akuzoi kryeministrin për mbrojtje politike të Ballukut. “Edi Rama ka vendosur të mbrojë Belinda Ballukun, të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsyeja është e thjeshtë: është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria”, u shpreh Bardhi.

Kërkesa e SPAK pritet të hidhet në votim në seancën e radhës plenare, ku deputetët do të vendosin për fatin e imunitetit të Ballukut.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)