Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj institucioneve të drejtësisë lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke kritikuar mënyrën se si është trajtuar hetimi ndaj saj.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se ndaj Ballukut është ngritur një akuzë vetëm mbi bazën e një “dyshimi të arsyeshëm” për shkelje të barazisë në tendera publikë, një çështje që sipas tij i referohet ngjarjeve të ndodhura rreth gjashtë vite më parë. Kryeministri theksoi se dyshimet janë mbështetur në disa mesazhe SMS të gjetura në telefonin e ish-vartësit të saj, Evis Berberi, ish-drejtor në sektorin e infrastrukturës.
Rama kritikoi gjithashtu vendimin për pezullimin nga detyra, duke e cilësuar atë një masë të pakuptimtë dhe të paprecedentë. Sipas tij, procedura ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe ka krijuar një situatë të pazakontë në raport me funksionet e qeverisë.
“Flitet vetëm për dyshimin e arsyeshëm se, në cilësinë e ish-ministres, ka kryer veprën penale ‘pabarazi në tendera publikë’, 6 vite më parë, bazuar në disa SMS të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori. Mbi këtë fakt, ende krejt të pahetuar, u vendos nga prokurori dhe gjyqtari pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde! Pezulloi funksionin, jo thjesht personin,” u shpreh Rama.
Ai hodhi akuza edhe ndaj SPAK dhe GJKKO, duke pretenduar se informacionet nga hetimet janë shpërndarë në mënyrë të parakohshme në media.
“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të ‘stacionit të trenit’, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre,” deklaroi kryeministri.
Në vijim, Rama foli edhe për reagimet në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, duke thënë se Balluku është kthyer në objekt sulmesh dhe akuzash të shumta, të cilat sipas tij janë të ekzagjeruara.
“U ngritën dallgët e urrejtjes mbi Ballukun dhe u mblodhën retë e rrjeteve sociale duke e kthyer njeriun në kriminel me 300 vila dhe jahte. Belinda u kthye në shtrigën që duhej të digjej në turrën e druve,” tha ai.
Kryeministri theksoi gjithashtu se sipas tij, ndryshimet e mëdha në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë në vend janë rezultat i punës së qeverisë dhe mbështetjes së votuesve, duke vlerësuar kontributin e Ballukut në këto reforma.
Ndërkohë, PS-ja rrëzoi kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut.
12:00 - Rama për Ballukun: Nuk e shkel vijën e kuqe me drejtësinë, nuk i mbaj pishën askujt!
Nga mbledhja e Grupit të Partisë Socialiste, ku u vendos që të rrëzohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe hapjes rrugë të arrestimit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë për rastin e ish-zëvendëskryeministres.
Shefi i qeverisë tha se ai nuk mund të mbrojë asnjë bashkëpunëtor përballë akuzave të ngritura nga organet e drejtësisë, por nënvizoi se në gjykimin e tij SPAK ka vepruar në mënyrë emocionale sa i takon rastit ‘Balluku’, duke çuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e saj pasi Kushtetuesja vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.
Sipas Ramës, organi i akuzës ka kërkuar “kokën e një të zgjedhuri”, me muhabete telefoni, duke ju referuar një bisede të paraqitur si provë nga SPAK në Këshillin e Mandateve.
“Unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që se kanë idenë e kësaj detyre, se kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se detyra e tij nuk është të shpallë askënd të pafajshëm apo fajtor, pasi kjo është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë. Rama madje kujtoi se që prej miratimit të reformës në drejtësi ka vendosur një vijë të kuqe për këtë çështje.
“Nuk kam ndërmend t’iu them juve që e njihni më mirë se tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht t’i dalë e vetja. Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformë në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia”, u shpreh ai.
Në fund, Rama theksoi se vendimmarrja mbi akuzat dhe provat i takon vetëm institucioneve të drejtësisë.
“Gjëra që i takojnë avokatit apo prokurorit dhe gjykatësit, jam apo s’jam unë dakord me këta të fundit”, përfundoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)