“Irani, shtet terrorist”, PS depoziton rezolutën që do kalojë kufijtë e Shqipërisë

Në tekstin e kësaj resolute iu bëhet thirrje vendeve perëndimore, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve që të marrin masa të përbashkëta kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet.

13.03.2026. 16:30

“Irani, shtet terrorist”, PS depoziton rezolutën që do kalojë kufijtë e Shqipërisë

Ashtu siç e paralajmëroi dhe kryeministri Edi Rama, Partia Socialiste ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një pr.rezolutë që parashikon shpalljen e Republikës Islamike Iraniane si shtet që sponsorizon terrorizmin.

Pr/rezoluta u depozitua nga kreu i grupit socialist Taulant Balla, teksa ajo parashikon që organizatë terroriste të shpallet dhe Garda Revolucionare Islamike që gjithë këto vite ka qenë në krah të regjmimit.

Në tekstin e kësaj resolute iu bëhet thirrje vendeve perëndimore, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve që të marrin masa të përbashkëta kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Nismëtarët presin që rezoluta të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë teksa më pas ajo do t’i përcillet Qeverisë shqiptare, qeverive aleate si dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e sotme për mediat se Kuvendi i Shqipërisë do të votojë një rezolutë për shpalljen e Iran si shtet sponsorizues të terrorizmit.

Rama sqaroi se në të njëjtën rezolutë pritet të shpallen organizatë terroriste edhe Garda Revolucionare e Iranit, si dhe sateliti i tyre në Liban, Hezbollahu, duke e vendosur sipas tij  Shqipërinë në të njëjtën linjë me aleatët që kanë ndërmarrë më herët hapa të ngjashëm.

“Javën që vjen, parlamenti do të votojë rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, ajo republikë nuk ka lidhje me islamin, sipas asaj që unë di dhe unë çmoj te islami, shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë, do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare dhe Hezbollahu. Kjo është e vërteta. Në këto hapa nuk jemi pionerët, sepse ka pasur edhe më parë aleatë që e kanë hedhur. Është koha ta bëjmë edhe ne këtë gjë”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)