PD nis hartimin e programit qeverisës, Berisha: Rama, simbol i flamurit të korrupsionit

Sali Berisha deklaroi në një takim me departamentin e Infrastrukturës në PD, se opozita ka nisur me hartimin e programit qeverisës.

13.03.2026. 19:53

PD nis hartimin e programit qeverisës, Berisha: Rama, simbol i flamurit të korrupsionit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me departamentin e Infrastrukturës në Partinë Demokratike, në kuadër të nisjes së diskutimeve për hartimin e programit të ardhshëm qeverisës të opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se ky është fillimi i një procesi intensiv konsultimesh për të adresuar, sipas tij, problemet kryesore me të cilat përballet vendi. Ai u shpreh se opozita synon të ndërtojë një program që do t’i japë zgjidhje çështjeve ekonomike dhe sociale që prekin qytetarët.

“Çelim siparin e një diskutimi intensiv të programit tonë. Ne duhet tu japim zë problemeve madhore me të cilat përballet sot Shqipëria, probleme të krijuara nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të përfytyrohet, nga vjedhjet 100% të fondeve, tek vjedhjet 90% të veprave të tjera publike. Nga rrënimi i familjeve shqiptare për shkak të rritjes së madhe të cmimeve dhe pothuaj në raport me çmimet, një mosrritje e rrogave dhe pensioneve, çka ka bërë që 49% e shqiptarëve të jenë në rrezik varfërie. Shërbimet në këtë vend kanë pësuar një metamorfozë asgjësuese për rregullin dhe cilësinë që duhet të kenë.

Problematika është e madhe, ndërkohë mandati që e quan Rama është mandati i krimit, mandati i katërt. E them këtë sepse ky mandat ka zero legjitimitet. Rama me farsën elektorale nuk ka asnjë ditë legjitime në pushtet. Rama është protagonisti i aferave më të mëdha. Reagimi i tij, reagim tipik i hajdutit që për të shpëtuar lëkurën bën çdo vendim, ishte mbyllja e dyerve hetimit dhe sistemit të drejtësisë. Njeriu që në një paranojë injorancë, ai është një injorant i shpërlarë nga konceptet. Ndiqjani fjalorin. Aty nuk do të gjeni dot një fjalë të vetme të qeveritarit që qeveris. Gjeni vetëm gjuhën e një ordineri që qeveris”, tha kreu i PD.

Sipas Berishës, korrupsioni në projektet infrastrukturore ka qenë ndër problemet më serioze të viteve të fundit. Ai deklaroi se në sektorin e infrastrukturës janë investuar rreth 12 miliardë euro gjatë 12 viteve të fundit, por sipas tij rezultatet në terren nuk përputhen me vlerën e investimeve.

Kreu i demokratëve akuzoi qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për keqmenaxhim të fondeve publike dhe për rritjen e kostos së jetesës për qytetarët. Ai shtoi se opozita do të përgatisë një program të detajuar për sektorë të ndryshëm, duke filluar nga infrastruktura, ekonomia dhe shërbimet publike.

“Zhvillimet e këtyre 3 muajve, vendimet që mori, duke i dhënë një goditje ndjekjes penale, akuzës, e nxjerrin jashtë çdo legjitimiteti. Ai është bërë personazh i flamurit të korrupsionit. Opozita dhe shqiptarët do t’i japin vendin që meriton. Po opozita duhet të përgatitet në mënyrën më serioze për problematikat e krijuara nga ky regjim. Me infrastrukturën janë bërë vjedhjet më të paimagjinueshme. Në këtë sektor janë investuar mbi 12 miliardë euro në 12 vite. Përveç rrasave të gurit në sheshin Skënderbej dhe ndonjë shesh tjetër, infrastruktura dhe Rilindja Urbane janë dëshmia e shpërdorimit, vjedhjes absolute të pandodhur ndonjëherë”, u shpreh ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)