Kryeministri Edi Rama i ka bërë jehonë një lajmi të publikuar nga “National Cyber Security Index”, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 9 në botë për sigurinë kibernetike.
“Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale”, shkruan kryeministri në faqen e tij zyrtare.
Indeksi vlerëson se Shqipëria është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar një ngjitje të qëndrueshme.
Vlerësimi i NCSI bazohet në analizën e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e rreziqeve kibernetike, përfshirë kuadrin ligjor dhe politik, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve kibernetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
E teksa kreu i qeverisë iu bën jehonë këtyre arritjeve, kujtojmë që vetëm 10 ditë më parë, hakerat e “Homeland Justice” kanë sulmuar faqen e administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemin e IT.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më pranë jush sesa mendoni. A i strehuat vërtet ata vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë.”, thuhet në postimin në "Telegram" të hakerave.
Hakerat “Homeland Justice”, janë një grup i dyshuar i lidhur drejtpërdrejt me Iranin. Ata dyshohet se qëndrojnë edhe pas sulmit ndaj platformës e-Albania dhe sistemeve të tjera shtetërore në Shqipëri në vitin 2022.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)