Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë të ditur se ka firmosur një kërkesë për interpelancë me zv.kryeministren për çështjen e pronave në zonën e Rrjollit, duke kërkuar sqarime për situatën e pronave në këtë zonë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai e cilësoi atë që po ndodh si një “grabitje të hapur” ndaj banorëve.
Shehaj akuzon zyrtarë të lartë, politikanë të korruptuar dhe oligarkë të lidhur me pushtetin se po u marrin tokat qytetarëve, ndërsa shteti, sipas tij, është rreshtuar në anën e gabuar. “Prona është e shenjtë,” u shpreh ai, duke theksuar se institucionet duhet të mbrojnë pronarët legjitimë dhe jo t’i lënë ata përballë padrejtësive.
Sipas tij, banorët e Rrjollit kanë rreth një muaj që protestojnë për të drejtat e tyre, por pa marrë një përgjigje konkrete nga autoritetet. Ai shtoi se Partia Mundësia do të jetë në krah të tyre dhe do të kërkojë përgjegjësi politike për situatën.
Kërkesa për interpelancë synon të detyrojë qeverinë të japë shpjegime publike për mënyrën se si po trajtohet çështja e pronave në këtë zonë, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë reagim nga ekzekutivi ndaj akuzave të ngritura.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)