"Artileria e rëndë" e PS në Tiranë, Rama ndryshon gjashtë nga drejtuesit politikë në qarqe

Shefi i mazhorancës ka vendosur të realizojë një riorganizim të strukturave politike në Tiranë, duke sjellë një shpërndarje të re të emrave të rëndësishëm të Partisë Socialiste nëpër njësitë administrative të kryeqytetit.

21.03.2026. 13:56

"Artileria e rëndë" e PS në Tiranë, Rama ndryshon gjashtë nga drejtuesit politikë në qarqe

Ashtu siç ndodhi në mbledhjen e Grupit të PS, ku Edi Rama riformatoi kabinetin qeveritar, duke shënuar edhe largimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv/kryeministres, edhe në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare në Durrës, janë njoftuar disa ndryshime të rëndësishme.

Shefi i mazhorancës ka vendosur të realizojë një riorganizim të strukturave politike në Tiranë, duke sjellë një shpërndarje të re të emrave të rëndësishëm të Partisë Socialiste nëpër njësitë administrative të kryeqytetit.

Në Tiranë, qarku i besohet Taulant Ballës, i cili do të jetë edhe drejtuesi për Diasporën, siç edhe ishte gjatë procesit zgjedhor të 11 Majit. Ndërkohë, Ogerta Manastirliu do të jetë drejtuese politike e PS në Bashkinë Tiranë dhe së bashku me Olta Xhaçkën, puna e saj do të përqëndrohet në njësinë numër 9.

Ndërkohë, në njësinë 8 do të angazhohen ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe Vilma Premti. Njësia 7 do të drejtohet nga Sofian Jaupaj dhe Enkelejd Musabelliu, ndërsa në njësinë 4 rikthehet nga Vlora një emër i njohur si Damian Gjiknuri, përkrah të cilit do të punojë edhe Drejtoresha e AKU-së, ish-deputetja Blerina Gjylameti.

Në njësinë 3 do të angazhohen Iris Luarasi dhe Edona Bilali, ndërsa njësia 1 i është besuar Lindita Nikollës. Po ashtu, në njësinë 11 do të angazhohen Elisa Spiropali dhe Anila Denaj, kjo e fundit pa rol drejtues qarku.

Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në drejtimin e njësive të tjera, ku ministri i Brendshëm Besfort Lamallari është caktuar drejtues politik i njësisë 10 në Tiranë.

Në njësinë numër 5 janë vendosur tre figura të njohura të Partisë Socialiste si kreu i Grupit Taulant Balla, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe deputeti më i zëshëm i mazhorancës, Erion Braçe.

Njëherazi Rama ka bërë edhe një riorganizim të drejtuesve politik në qarqe, duke ndryshuar disa prej tyre. Në Durrës, nga posti i drejtueses politike është larguar kryebashkiakja Emirjana Sako, ndërsa drejtimi i qarkut i është besuar Sekretarit të Përgjithshëm, Blendi Klosi.

Ndryshime ka pasur edhe në Kukës, ku Eduart Shalsi është zëvendësuar nga Erjon Malaj, ndërsa në Shkodër, Benet Beci, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për një tender me vlerë 700 mijë euro në kohën kur drejtonte KESH-in, i lë vendin Enea Karakaçi, i cili aktualisht mban edhe detyrën e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Ndërkohë, në Lezhë, drejtimi politik i është besuar ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke zhvendosur ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja në krye të punës në qarkun e Dibrës.

Sakaq, Belinda Balluku është rikonfirmuar në Fier. Po ashtu, konfirmohen në detyrë Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Bledi Çuçi në Vlorë, Niko Peleshi në Korçë dhe Ervin Demo në Berat.

Këto ndryshime vijnë në kuadër të një ristrukturimi të brendshëm të Partisë Socialiste, me synim forcimin e organizimit dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)