Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kreu i Partisë Socialiste, do të mbledhë të hënën Grupin Parlamentar të PS-së. Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave në orën 11:00. Në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa në mbledhje pritet të raportojnë Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Raportimet e tyre pritet të fokusohen kryesisht në Kapitullin 24, që lidhet me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, një nga segmentet kyçe të negociatave me Bashkimin Europian. Kjo nuk është mbledhja e parë e këtij lloji për socialistët, ndërsa më herët takime të ngjashme janë shoqëruar edhe me diskutime të brendshme, ku nuk kanë munguar as debatet mes deputetëve të grupit.
Mbledhja vjen në një moment kur qeveria ka dorëzuar së fundmi në Kuvend një raport të detajuar mbi ecurinë e negociatave me BE, ku theksohen përparime në fusha si drejtësia dhe lufta kundër krimit të organizuar. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se Shqipëria synon të përfundojë negociatat me BE deri në fund të vitit 2027, ndërsa anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian e parashikon në vitin 2030.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)