Liverpool-i mposht Tottenham-in e “skuqur” në Londër

Liverpool mposhti Tottenhamin 2-1 në Londër, në një ndeshje të shoqëruar me dy kartonë të kuq për vendasit, duke përfituar nga superioriteti numerik për të marrë një fitore të rëndësishme në garën për zonën europiane.

20.12.2025. 22:08

Liverpool-i mposht Tottenham-in e “skuqur” në Londër

Liverpool ka marrë një fitore të madhe në transfertë ndaj Tottenhamit, duke triumfuar 2-1 në Londër, në një ndeshje të shoqëruar me kartonë të kuq, tension dhe emocione deri në sekondat e fundit. Kjo humbje shënon disfatën e pestë të Spurs në tetë ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League.

Takimi nisi me ritëm të ulët, me të dyja skuadrat të kujdesshme dhe me pak raste të pastra shënimi. Tottenham u shfaq më kërkues në minutat e para, por pa konkretizim, ndërsa Liverpool, i detyruar të luante pa Mohamed Salah për shkak të Kupës së Afrikës, u mbështet te mbrojtja.

Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 30-të, kur Xavi Simons u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Virgil van Dijk, vendim i marrë pas rishikimit në VAR. Me një lojtar më shumë, Liverpool mori kontrollin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë, Arne Slot hodhi në fushë Alexander Isak, i cili justifikoi besimin duke shënuar golin e avantazhit pas asistit të Florian Wirtz. Megjithëse Isak u detyrua të largohej i dëmtuar, “The Reds” vazhduan presionin dhe dyfishuan shifrat me Hugo Ekitike, i cili realizoi me kokë pas krosimit të Jeremie Frimpong.

Tottenham reagoi në minutat e fundit me golin e Richarlison, duke rikthyer emocionet, por shpresat e vendasve u shuan përfundimisht kur Cristian Romero u ndëshkua me karton të kuq në shtesë. Me avantazh numerik dhe në rezultat, Liverpool administroi lojën deri në fund, duke marrë tre pikë të arta që e rikthejnë fuqishëm në garën për zonat europiane.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)