Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka qenë protagonist absolut i Mallorcës në fitoren dramatike 3-2 ndaj Athletic Bilbaos në kampionatin spanjoll, duke shënuar 3 golat për ekipin e tij në këtë përballje.
Me këto realizime, Muriqi shkon në kuotën e 14 golave dhe mbetet ndjekësi më i afërt i Kylian Mbappé, që kryeson klasifikimin e golashënuesve me 19 gola.
Ndeshja nisi menjëherë me ritëm të lartë, dhe vetëm pas 5 minutash Muriqi zhbllokoi rezultatin për Mallorcën, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së tij. Bilbao reagoi shpejt dhe barazoi në 1-1 me Unai Gomez. Në minutat e fundit të pjesës së parë, “Pirati” realizoi golin e tij të dytë, pasi portieri Unai Simon grushtoi penalltinë, duke rikthyer avantazhin për Mallorcën në 2-1. Nico Williams barazoi sërish për Bilbaon në 2-2, duke bërë pjesën e parë shumë dramatike.
Në pjesën e dytë, Mallorça fitoi një tjetër penallti në minutën e 69, dhe Muriqi nuk gaboi, duke shënuar golin e tretë personal dhe të fitores 3-2.
Bilbao përfundoi ndeshjen me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Guruzetës. Falë këtij triumfi, Mallorça ngjitet në kuotën e 21 pikëve, vetëm 3 më pak se Bilbao që mbetet me 24, ndërsa Muriqi konfirmon veten si një nga sulmuesit më të rrezikshëm të La Ligës këtë sezon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)