Polonia hap “thesin”, premio 4.2 milionë dollarë për të mposhtur Shqipërinë

Futbollistët e Polonisë mund të ndajnë mes tyre rreth 4.2 milionë dollarë, një shumë që përkthehet në më shumë se 15 milionë zloty polakë.

12.03.2026. 18:56

Polonia hap “thesin”, premio 4.2 milionë dollarë për të mposhtur Shqipërinë

Kombëtarja e Polonisë do të përballet me Shqipërinë më 26 mars në stadiumin ‘PGE Narodowy’, në gjysmëfinalen e play-off-it për kualifikimin në Botëror. Para këtij takimi vendimtar, Federata Polake e Futbollit ka vendosur një stimul të madh financiar për lojtarët.

Sipas gazetarit Mateusz Ligęza, futbollistët polakë mund të përfitojnë një bonus të konsiderueshëm nëse arrijnë të sigurojnë një biletë për në Kupën e Botës.

“Nëse Polonia shkon në Botëror, lojtarët e ekipit kombëtar do të marrin një bonus shumë të madh nga Federata Polake e Futbollit, afërsisht 40% të 10.5 milionë dollarëve të garantuar që FIFA do t’u paguajë pjesëmarrësve në fazën e grupeve të Botërorit”, shkroi Ligęza në profilin e tij në platformën X.

Kjo do të thotë se futbollistët mund të ndajnë rreth 4.2 milionë dollarë, një shumë që përkthehet në më shumë se 15 milionë zloty polakë.

Polonia duhet fillimisht të kalojë pengesën e Shqipërisë më 26 mars. Nëse ia del, ekipi i drejtuar nga trajneri Jan Urban do të përballet në finalen e play-off-it me fituesin e sfidës mes Ukrainës dhe Suedisë më 31 mars.

Urban pritet të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar më 20 mars. Ndërkohë, qeveria polake nuk ka në plan të japë shpërblime shtesë për kombëtaren në rast kualifikimi. Ministri i Sportit dhe Turizmit, Jakub Rutnicki, e bëri të qartë këtë gjatë një interviste në Radio ZET.

“Jo, sepse bonuset e fundit të propozuara nga Morawiecki shkaktuan probleme të mëdha dhe rrëmujë totale brenda ekipit kombëtar, dhe më vonë Morawiecki u tërhoq prej tyre. Mendoj se krenaria ime më e madhe është të luaj për ekipin kombëtar polak”, u shpreh ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)